Europa Postuar më 22 Korrik 2022, 14:42

Reduktimi i konsumit të gazit: 12 vende anëtare të BE refuzojnë propozimin e Brukselit!

Nga SCAN TV
Reduktimi i konsumit të gazit: 12 vende anëtare të BE

Propozimi i Bashkimit Europian që i imponon vendeve anëtare të reduktojnë konsumin e gazit me 15% në mënyrë që të përgatiten për ndërprerjen e furnizimeve nga Rusia, po kundërshtohet nga qeveri të ndryshme duke rrezikuar miratimin e planit të emergjencës.

Komisioni europian propozoi që 27 vendet anëtare të përdorin 15% më pak gaz në krahasim me mesataren e pesë viteve  të fundit nga gushti në mars. Objektivi është në bazë vullnetare, por Brukseli mund ta bëjë të detyrueshëm në rast se do të konfirmohej një rrezik i madh për mungesë gazi.

Gjatë një mbledhjeje të diplomatëve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, të paktën 12 nga 27 vende anëtarë shprehën shqetësime për propozimin, sipas konfirmimit për agjencinë e lajmeve Reuters, nga pesë zyrtarë të BE-së të pranishëm në takim.

Pika kryesore e përplasjes është pushteti i Brukselit për të bërë të detyrueshëm objektivat. Danimarka, Franca, Irlanda, Italia, Malta, Vendet e Ulëta, Polonia, Spanja dhe Portugalia bënë të qartë se Bashkimi Europian nuk mund ta bëjë një gjë të tillë pa i dhënë më parë mundësinë vendeve që të shprehen dhe të vendosin veton nëse do e shohin të arsyeshme.

Një zyrtar i BE-së deklaroi se shtetet anëtare duan të kenë mundësinë që të aktivizojnë në mënyrë të pavarur mekanizmat e krizës dhe nuk janë dakord që ta lënë këtë vendim në duart e Komisionit Europian.

Propozimi parashikon edhe që Komisioni Europian të konsultohet me grupin e koordinimit të gazit të përbashkët, i përbërë nga përfaqësues të vendeve, para se të bëjë të detyrueshëm kufizimin.

Diplomatët europianë do të diskutojnë sërish me objektivin që ministrat e tyre të energjisë të miratojnë masën në një mbledhje emergjente të martën e ardhshme. Që propozimi të miratohet duhet një mbështetje e të paktën 15 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Vendet e BE-së po shpejtojnë të mbushin rezervat e gazit në pritje të dimrit dhe Brukseli paralajmëroi se pa reduktime më të qarta të konsumit të gazit, disa vende do e kenë të vështirë të kenë gaz në muajt më të ftohtë të vitit nëse Rusia vendos të ndërpresë totalisht furnizimin. Një skenar shumë i mundshëm ky sipas komisionit europian.

Më shumë se 10 vende të Bashkimit Europian janë prekur nga reduktimi i flukseve të gazit nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës. Por deri tani vendet anëtare kanë reduktuar kërkesën e tyre për gaz me të paktën 5%, pavarësisht muajve të reduktimit të furnizimeve ruse dhe rritjes së cmimeve.

Gjithsesi, disa vende këmbëngulin se imponimi i një objektivi të njëjtë për të gjitha vendet nuk është qasja e duhur. Mes tyre Spanja dhe Portugalia që nuk e kanë Rusinë furnizues kryesor dhe Hungaria qeveria e të cilës ka urdhëruar një ndalim të eksportit të gazit.

SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=XeVkIjA94XI

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat