Shqipëria Postuar më 15 September 2026, 11:01

Qeveria ashpërson rregullat - Miliona euro investime për të blerë pronat me kontrata “1 euro”

Nga Ernilda Luzi

economia invest

Pronat shtetërore të dhëna me tarifën simbolike “1 euro” do të jenë subjekt i rregullave më të forta për investimet, punësimin dhe kalimin në pronësi private. Dy udhëzime të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, ndryshojnë procedurat për dhënien me qira dhe enfiteozë të pasurive shtetërore, si dhe mënyrën e vlerësimit, privatizimit dhe shitjes së tyre.

Sipas rregullave të reja, subjektet që kanë marrë prona shtetërore mbi 500 metra katrorë me kontrata qiraje, ose enfiteoze me tarifën “1 euro/kontrata” mund të kërkojnë blerjen e pronës. Por, kjo mundësi kushtëzohet nga realizimi i një niveli të lartë investimesh.

Subjekti duhet të ketë realizuar brenda afatit kontraktor investime mbi 5 milionë euro, si dhe investime në një vlerë më të lartë se 750 për qind e vlerës së pronës shtetërore që kërkohet të blihet. Përmbushja e këtyre kritereve duhet të dokumentohet përmes provave kontraktore, financiare dhe teknike.

Edhe nëse subjekti arrin të blejë pronën, detyrimi për investimin nuk konsiderohet i përfunduar. Investitori duhet të realizojë të gjithë investimin e parashikuar në planin e biznesit dhe kontratën e mëparshme të qirasë ose enfiteozës. Ky detyrim do të jetë pjesë e kontratës së shitjes dhe do të regjistrohet si kufizim në kartelën e pasurisë. Nëse investimi nuk realizohet, shteti mund të ndërhyjë edhe pas privatizimit.

Ministria e Ekonomisë mund të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e shitjes, duke rikthyer pronën në pronësi të shtetit. Në këtë rast, sipas rregullave të reja, shteti ka të drejtë të mbajë edhe shumën që blerësi ka paguar për blerjen e pronës.

Një tjetër kufizim lidhet me shitjen apo transferimin e pronës. Blerësi nuk mund t’ia tjetërsojë pasurinë një pale të tretë deri në realizimin e plotë të investimit të detyrueshëm. Ky ndalim përbën hipotekë ligjore mbi pasurinë dhe do të pasqyrohet në regjistrin kadastral.

Rregulla të veçanta vendosen edhe për subjektet që vazhdojnë të operojnë me kontrata qiraje ose enfiteoze “1 euro”. Nëse investimi i përcaktuar në kontratë nuk realizohet, subjekti penalizohet me 10% të vlerës së investimit të parealizuar. Por penaliteti nuk ndalet vetëm te investimet.

Subjektet do të penalizohen edhe nëse nuk realizojnë numrin e vendeve të punës që kanë marrë përsipër. Për çdo vend pune të parealizuar, penaliteti është 50 mijë lekë. Numri i vendeve të punës do të përcaktohet mbi bazën e mesatares vjetore të punonjësve të deklaruar pranë administratës tatimore.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat