Europa Postuar më 15 September 2026, 10:54

Europa do mbetet pa IA - Lagarde paralajmëron për varësinë nga teknologjia amerikane

Nga Edel Strazimiri

IA AI.jpg

Europa përballet me një rrezik të paprecedentë nëse humbet aksesin te teknologjia e inteligjencës artificiale, paralajmëroi presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde.

Sipas saj, kompanitë europiane po investojnë në IA, por pjesën më të madhe të teknologjisë e importojnë nga jashtë, veçanërisht nga SHBA. Kjo krijon një varësi që në të ardhmen mund të prekë pothuajse çdo sektor të ekonomisë.

Lagarde paralajmëroi se inteligjenca artificiale do të përdoret për kontrollet doganore, auditimet tatimore, transportin, kujdesin shëndetësor dhe pagesat bankare. Për këtë arsye, një ndërprerje e aksesit ose ndryshimi i kushteve të përdorimit do të kishte ndikim të menjëhershëm në të gjithë ekonominë europiane.

Zgjidhja, sipas saj, është rritja e kapaciteteve europiane të përpunimit dhe krijimi i modeleve të IA që funksionojnë mbi infrastrukturë europiane. Investimet e shpejta në këtë drejtim mund të rrisin produktivitetin deri në 4% gjatë një dekade.

Lagarde theksoi gjithashtu se Europa ka mungesë të kapaciteteve të qendrave të të dhënave dhe, nëse tendencat aktuale vazhdojnë, ky hendek mund të zgjerohet më shumë se gjashtëfish brenda dhjetë vitesh.

Një tjetër shqetësim lidhet me ndikimin financiar të industrisë amerikane të teknologjisë. Kompanitë e mëdha të SHBA-së po kërkojnë financim edhe në tregjet europiane, duke rritur kostot e huamarrjes dhe duke konkurruar me kompanitë e tjera për kapital. 

Ndërkohë, fondet europiane të pensioneve kanë investime të konsiderueshme në aksionet e teknologjisë amerikane, çka do ta ekspozonte edhe kursimet europiane ndaj një rënieje të mundshme të këtij tregu.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat