Menu Kryesore Postuar më 7 October 2025, 19:06

PS zyrtarizon kandidatët për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki

Nga SCAN TV
PS zyrtarizon kandidatët për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki

Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të zhvillohen në gjashtë bashki të vendit: Tiranë, Vlorë, Tepelenë, Berat, Mat dhe Cërrik. Më shumë se 1 milion shqiptarë do të thirren në kutitë e votimit, prej të cilëve rreth 700 mijë vetëm në kryeqytet.

Pas Tiranës, ku prej ditësh është zyrtarizuar kandidatura e Ogerta Manastirliut, Kryesia e Partisë Socialiste ka vulosur edhe emrat e pesë kandidatëve të tjerë që do të përfaqësojnë mazhorancën në garën e 9 nëntorit.

Surpriza më e madhe vjen nga Vlora, ku socialistët kanë vendosur të kandidojnë deputeten e sapozgjedhur Brunilda Mersini. Ajo hyri në Kuvend pas zgjedhjeve të 11 majit 2025 dhe me këtë vendim pritet të heqë dorë nga mandati i saj parlamentar nëse fiton drejtimin e Bashkisë së Vlorës.

Në Tepelenë, kandidatura e miratuar është ajo e Gramoz Sakos, ish-kreu i Gardës së Republikës, që dha dorëheqjen nga posti në shkurt 2024.

Për Matin, Partia Socialiste ka përzgjedhur Altin Bojnin, financier me eksperiencë në disa institucione publike, përfshirë Postën Shqiptare dhe Drejtorinë e Burgut të Burrelit. Aktualisht ai drejton Shëndetin Publik në qark.

Në Berat, garën do ta përfaqësojë Ervin Ceca, kryetar i komanduar i bashkisë që prej marsit, pas dorëheqjes së Ervin Demos.

Ndërsa në Cërrik, kandidati socialist është Florenc Doka, që prej disa muajsh mban detyrën e kryetarit të komanduar pas emërimit të Andi Sallës si ministër në kabinetin qeveritar.

Mbledhja e Kryesisë së PS, e zhvilluar në orën 18:00, zgjati vetëm 20 minuta dhe u mbyll me prezantimin e plotë të kandidatëve nga drejtuesit politikë të qarqeve përkatëse.

Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit u shkaktuan nga vakancat në disa bashki të vendit: arrestimi i Erion Veliajt në Tiranë, dorëheqja e papritur e Ermal Dredhës në Vlorë, si dhe emërimi i Andi Sallës si ministër, bashkë me zgjedhjen si deputetë të Ervin Demos, Tërmet Peçit dhe Agron Malajt, që boshatisën drejtimin e bashkive Berat, Tepelenë dhe Mat.

Kandidatët e PS për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit:

Tiranë: Ogerta Manastirliu
Vlorë: Brunilda Mersini
Tepelenë: Gramoz Sako
Mat: Altin Bojni
Berat: Ervin Ceca
Cërrik: Florenc Doka

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat