Shqipëria Postuar më 7 Tetor 2025, 12:03

“SEPA, gur themeli drejt infrastrukturës financiare evropiane” - Sejko: Faza e dytë, edukimi i përdoruesve dhe thellimi i digjitalizimit të pagesave

Nga Ledina Elezi

“SEPA, gur themeli drejt infrastrukturës financiare evropiane”

Kanë nisur zyrtarisht transaksionet e para me SEPA në Shqipëri. Në Bankën e Shqipërisë është mbajtur ceremonia e transaksionit të parë të vendit tonë në Tregun Unik të Pagesave në Euro.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se ky nuk është thjesht një zhvillim teknik në sistemin e pagesave, por një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në infrastrukturën financiare evropiane.

“Rrugëtimi ynë ka kërkuar kohë, përkushtim dhe partneritet, dhe sot jemi krenarë që Shqipëria është pjesë e këtij sistemi unik evropian. Tani nis faza e dytë: shfrytëzimi maksimal i këtij standardi nga bankat dhe bizneset, edukimi i përdoruesve dhe thellimi i digjitalizimit të pagesave. Banka e Shqipërisë u bën thirrje bankave tregtare dhe institucioneve financiare që të promovojnë aktivisht shërbimet SEPA, të informojnë klientët për përfitimet konkrete dhe të investojnë në përmirësimin e mëtejshëm të platformave digjitale. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë aktorëve, Shqipëria do të arrijë ta shfrytëzojë plotësisht potencialin e këtij integrimi historik”, tha Sejko.

Pjesëmarrja në SEPA nuk është thjesht një zhvillim teknik në sistemin e pagesave, por një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në infrastrukturën financiare evropiane.

“Nga sot, qytetarët shqiptarë do të mund të transferojnë para për në dhe nga BE-ja, si çdo qytetar tjetër i BE-së. Kjo do të thotë se ata do të kursejnë para, për shembull lidhur me dërgesat e emigrantëve; pagesat e bizneseve me Evropën do  të jenë më të shpejta dhe më të lira; turistët do të mund të kryejnë pagesa elektronike më lehtë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një ekonomie më formale dhe digjitale, hap i cili do të nxisë njëherazi edhe tregtinë. Arritja e sotme dëshmon se kur angazhimet politike ndiqen me vendosmëri, ato mund të sjellin rezultate konkrete për qytetarët tanë. Gjithashtu, ajo dëshmon se BE-ja është partnere serioze në përmbushjen e detyrimeve sapo plotësohen kushtet e nevojshme”, u shpreh Ambasadori i BE, Silvio Gonzato.

Integrimi në SEPA e bën tregun tonë financiar më konkurrues, rrit besimin e investitorëve dhe e afron Shqipërinë me standardet më të larta të Bashkimit Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat