Shqipëria Postuar më 7 Tetor 2025, 12:52

Dhuna ndaj grave, fokus tek fuqizimi ekonomik - Drafti i ri, për konsultim publik. Ngrihet një rrjet i koordinuar shërbimesh

Nga Fabjona Pasho

Dhuna ndaj grave, fokus tek fuqizimi ekonomik - Drafti i ri, për konsultim

Drafti i ri i hedhur për konsultim publik “Për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, një dokument që përveç mbrojtjes ligjore, sjell një qasje të re ndaj pavarësisë ekonomike të viktimave.

Për herë të parë, projektligji e njeh dhunën ekonomike si një formë të veçantë abuzimi, duke e përkufizuar si çdo veprim që kufizon të drejtën e një personi për të punuar, për të pasur të ardhura, për të administruar pasurinë ose për të siguruar jetesën e pavarur. Kjo e vendos aspektin financiar në zemër të debatit për dhunën ndaj grave, duke treguar se varësia ekonomike shpesh është një nga arsyet që e mban viktimën në marrëdhënie abuzive.

Projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e një rrjeti të koordinuar shërbimesh, ku përfshihen bashkitë, qendrat sociale, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë. Viktimat do të kenë të drejtë për strehim emergjent, ndihmë psiko-sociale dhe asistencë ligjore falas, ndërsa fëmijët e përfshirë në raste dhune do të trajtohen si viktima të drejtpërdrejta.

Këto masa nënkuptojnë fonde të reja publike në buxhetet vendore dhe shtetërore, si dhe hapësira të reja punësimi për punonjës socialë, psikologë dhe juristë që do të përfshihen në mekanizmat e mbrojtjes. Ekspertët theksojnë se kostoja e mosveprimit është shumë më e lartë: dhuna ndaj grave sjell humbje në produktivitet, shpenzime të shtuara në shëndetësi dhe ndihmë sociale, si dhe ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë mënyrë, projektligji synon, jo vetëm të mbrojë, por edhe të fuqizojë ekonomikisht gratë, duke e lidhur barazinë gjinore me zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e shoqërisë.

Ndërkaq, për keqpërdorimin e imazheve intime pa pëlqim, dhunën e përndjekjes digjitale të lehtësuar nga teknologjia, dhe gjuhën e urrejtjes digjitale të lehtësuar nga teknologjia, AKEP vendos gjobë administrative nga 50 000 deri në 500 000 lekë për çdo 24 orësh vonesë, nëse kjo masë është vendosur nga gjykata.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat