Rajoni Postuar më 10 Qershor 2022, 14:10

“Plani i termostatit” në Greqi: Projekti për kursimin e energjisë, bonuse dhe penalitete në shërbimet publike!

Nga SCAN TV

Qeveria e Greqisë ka prezantuar së fundmi një projekt për uljen e konsumit të energjisë, të quajtur “Plani i termostatit”. Nëpërmjet këtij projekti synohet ulja e menjëhershme e konsumit të energjisë me 10%, ndërsa synimi afatgjatë është ulja me 30% deri në vitin 2030.

Për të arritur këtë synim, organeve publike u kërkohet të procedojnë me masa të menjëhershme të kursimit të energjisë, si menaxhimi dhe mirëmbajtja racionale e sistemeve të ftohjes dhe ngrohjes , ndërkohë që parashikohet kufizimi i përdorimit të ndriçimit rrugor dhe përmirësimi i rrjeteve të ujësjellësit dhe kanalizimeve. Në këtë kuadër, do të krijohet një sistem dixhital për monitorimin e konsumit të energjisë në shtet. Kjo platformë do të monitorojë konsumin e energjisë për ndërtesë dhe strukturë godine të shtetit, si dhe do të ketë një dosje me faturat e energjisë që duhet të paguajë çdo shërbim.

Në të njëjtën kohë, do të promovohet një sistem stimujsh dhe dekurajues për të arritur qëllime specifike të kursimit të energjisë. Për shembull, nëse një ndërmarrje publike arrin kursimet e dëshiruara të energjisë, ajo do të shpërblehet me rritjen e fondeve buxhetore. Nga ana tjetër, do të ketë penalitete për ata që nuk i arrijnë qëllimet e tyre.

Për të arritur këtë qëllim, çdo ndërtesë publike duhet të caktojë një menaxher energjie, i cili do të merret me çështjen e kursimit të energjisë.

Sipas të dhënave zyrtare, shpenzimi i energjisë për 212,000 objektet qeveritare si ndërtesa, ndriçim rrugor dhe stacione pompimi, ishte në vitin 2020, 596 milionë euro ndërsa konsumi ishte 4,450 gigavat orë. Në vitin 2021 shpenzimet arritën në 956 milionë euro me konsum prej 5,346 gigavat orë. Ndërsa, këtë vit për shkak të rritjes së çmimit të energjisë shpenzimi do të arrijë në 1,165 miliardë euro me konsum në nivelet e vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, nëpërmjet një programi të quajtur “Electra” synohet ndërhyrje afatgjatë në ndërtesat publike dhe përmirësimi energjetik i tyre. Objektivat e programit janë të dyfishta: Ndërtesat publike duhet të jenë të paktën në kategorinë B të efiçiencës së energjisë dhe synohet kursimi i energjisë dhe reduktimi i emetimeve të CO2 me 30%.

Është planifikuar zëvendësimi i dritareve, hijezimit, ngrohjes dhe ftohjes, prodhimi dhe përdorimi i ujit të ngrohtë, prodhimi dhe ruajtja e energjisë elektrike ngrohje-ftohje, në ndërtesat publike nëpërmjet përdorimit të modeleve inovative dixhitale. Norma e financimit nga shteti fillon nga 50% dhe rritet në kushte deri në 70%. Programi ka një buxhet prej 640 milionë euro.

SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=bVx0B6JCKdU

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat