Bota Postuar më 10 Qershor 2022, 14:06

Atrofia muskulare kurrizore: Argjentina zbulon një trajtim shumë më të lirë të sëmundjes!

Nga SCAN TV

Shkencëtarët argjentinas bëjnë një hap përpara në trajtimin e Atrofisë Muskulare Kurrizore (SMA) që mund të ndryshojë të ardhmen e sëmundjes së rrallë neurodegjenerative, duke rritur efikasitetin e terapisë ekzistuese.

Atrofia muskulare kurrizore është një sëmundje e trashëguar që shkatërron në mënyrë progresive neuronet motorike që kontrollojnë aktivitetin thelbësor të muskujve skeletik, duke ndikuar në funksione të tilla si të folurit, ecja, frymëmarrja dhe gëlltitja, duke shkaktuar dobësi dhe atrofi të muskujve.

Hulumtimi është bërë në qelizat njerëzore në kulturë laboratorike dhe në minj, kështu që hapi tjetër do të jetë kryerja e një prove klinike te pacientët. Nëse konfirmohet efikasiteti i tij tek njerëzit, zbulimi mund ta bëjë trajtimin dhe më pak të kushtueshëm, pasi opsioni aktual është shumë i shtrenjtë.

Punimi i drejtuar nga biologu dhe studiuesi argjentinas Alberto Kornblihtt, drejtor i Institutit të Fiziologjisë, Biologjisë Molekulare dhe Neuroshkencave dhe anëtar i Akademisë Kombëtare të Shkencave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u botua në kopertinën e revistës prestigjioze “Cell”.

Në fund të vitit 2016, Administrata e Ushqimit dhe Barnave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – FDA - autorizoi përdorimin e ilaçit nusinersen, i njohur komercialisht si Spinraza, i cili bën të mundur ndalimin ose ngadalësimin e përparimit të sëmundjes.

Ndërsa punimi më i fundit i kryer nga shkencëtarët në Argjentinë zbuloi se rezultatet e trajtimit me nusinersen mund të optimizohen nëse ato kombinohen me acidin valproik, një ilaç që përdoret aktualisht për epilepsinë.

Kornblihtt u tha gazetarëve se studimi i cili zgjati gjashtë vjet hetoi më në thellësi mekanizmin duke kuptuar se mjekimit aktual mund t’i shtohet dhe acidi valproik, duke modifikuar kromatinën. Dhe është pikërisht ky proces që e bën më efikas mjekimin.

Përveç përmirësimit të tij, duke e kombinuar me një ilaç tjetër, trajtimi mund të bëhet më i lirë pasi doza nusinersen kushton rreth 120 mijë dollarë – merret tre herë në vit - ndërsa acidi valproik është shumë i lirë.

Phil Sharp, fitues i çmimit Nobel në Mjekësi në vitin 1993 për zbulimin e tij të "splicing"(bashkimit)  - procesi me të cilin çdo gjen mund të prodhojë më shumë se një proteinë -  e cilësoi gjetjen si një punë magjepsëse që ngre pyetje të reja të rëndësishme në lidhje me aktivitetin e gjeneve dhe i lidh ato drejtpërdrejt me trajtimet aktuale mjekësore.

Meqenëse Kornblihtt ka përvojë në studimin e "splicing", të afërmit e pacientëve SMA, rreth 400 në Argjentinë, trokitën në derën e laboratorit të tij, promovuan kërkimin dhe mblodhën fonde për të paguar reagentët e nevojshëm për ta kryer atë. Në botë janë rreth 300 mijë persona që vuajnë nga kjo sëmundje.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat