Europa Postuar më 10 Qershor 2022, 14:03

Katër ditë pune në javë/ Eksperimenti po kryhet aktualisht në Britaninë e Madhe dhe Portugali!

Nga SCAN TV

Të punosh vetëm katër ditë në javë, për të njëjtën pagë por dhe me të njëjtin produktivitet. Dy eksperimente në shkallë të gjerë po kryhen këto ditë, një në Britaninë e Madhe dhe tjetri në Portugali duke dëshmuar se si pandemia dhe dinamika e pagave po shkaktojnë ndryshime të thella në tregun e punës. Pikërisht në ditët që parlamenti europian miratoi pagën minimale, sipërmarrje dhe punonjës eksperimentojnë mënyra të reja organizimi që përmbledhin mirëqenien e ekonomisë dhe të individëve.

Në Britaninë e Madhe java e shkurtër e punës do të përfshije rreth 3500 punonjës nga 70 kompani të sektorëve të ndryshëm: në listë janë banka dhe shërbime financiare, kompani ushqimore deri tek bar-et dhe restorantet më të thjeshta. Përfshirja e punonjësve në formulën e re ishte në bazë vullnetare dhe rezultatet do të vlerësohen më pas nga një «think tank» në të cilin bëjnë pjesë dhe ekspertë të universitetit të Oksford dhe Cambridge.

Rregullat e eksperimentit janë të qarta: punonjësit duhet të kenë katër ditë pune në javë dhe nuk do të pësojnë reduktim në pagë. Ndërsa për arritjen e objektivit secilës kompani i është lënë liria për vetë-organizim. Për shembull Atom Bank, i ka kërkuar 430 nëpunësve të saj që të punojnë 34 orë në javë në vend të 37 orë e gjysmë si zakonisht. CEO i bankës u shpreh se bashkëpunëtorëve duhet t’i jepet mundësia të ndjekin pasionet e tyre. Do të ketë më shumë punë nga shtëpia, që do të shkurtojë kohën e udhëtimit, dhe do të punohet për objektiva të qarta që do të ruajnë të pandryshueshëm produktivitetin.

Në Portugali nuk ka një marrëveshje mes palëve, por është vetë parlamenti i vendit që ka pranuar javën e punës prej 4 ditësh. Në 29 maj të këtij viti, në përfundim të debatit për buxhetin e shtetit, u miratua një amendament – i prezantuar nga partia e së majtës Livre e cila ka vetëm një deputet – që kërkonte studimin dhe aplikimin e modeleve të reja të organizimit mes të cilave dhe atë që i lë më shumë kohë të lirë të punësuarve. Por parlamenti i Lisbonës u tregua më i ashpër në krahasim me eksperimentin britanik, pasi nuk specifikohet nëse reduktimi i orarit të punës do të shoqërohet me reduktim të pagës.

Gjithsesi çështja tashmë ka përfshirë gjithë Europën, sidomos pas pandemisë, kur miliona persona eksperimentuan mënyra dhe kohëra të reja për të kaluar ditët e tyre. Gjithnjë e më shumë persona kërkojnë të kenë më shumë kohë për t’i dedikuar jetës private duke tkurrur kohën e punës.

SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=6Habgum1hIk

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat