Shqipëria Postuar më 25 Gusht 2023, 14:27

Peshkimi del nga “rrjeta”! - Në 7 muaj, të huajt blejnë 4.3 miliardë lekë produkte nga Shqipëria

Nga SCAN TV
Peshkimi del nga “rrjeta”! - Në 7 muaj, të huajt

Peshkimi është një sektor që po njeh rritje graduale në vend sa i takon prodhimit por edhe eksportit të këtyre produkteve.

Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë për periudhën Janar-Korrik 2023,  rezulton se është eksportuar një sasi produktesh deti prej 5556 ton, me një vlerë e cila arrin në 4.3 miliardë lekë. Krahasuar me një vit më parë, eksporti në sasi është rritur me 5 %.

Peshën kryesore në sasi e zë peshku i freskët i të akuakulturës (veçanërisht levrek dhe krapi) ku në 7 muaj janë eksportuar 2177 ton, me një vlerë prej rreth 1.1 miliardë lekësh.

Ndërsa produkti i përpunuar, siç është peshku i tharë, i kripur apo tymosur, zë peshën më të madhe në vlere, me afro 1.6 miliardë lekë të ardhura. Për përpunimin e peshkut në vend është dhënë një mbështetje e konsiderueshme nga programi IPARD i fokusuar modernizimin e fabrikave për përgatitjen e produkteve  me destinacion për eksport. Po ashtu në një sasi të konsiderueshme janë eksportuar edhe molusqet apo peshqit e ngrirë.

Por cila është harta e shteteve ku shkon ky produkt?  Si në sasi ashtu edhe në vlerë, Italia dhe Serbia janë dy shtetet kryesore qe furnizohen nga vendi ynë me peshk dhe produkte të tjera deti, ndjekur nga Maroku, Kosova, Kroacia dhe Spanja. Ndërkohë, në sasi më të vogël eksportohet edhe në Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Poloni, Tailandë, Greqi.

Sektorit të peshkimit vitet e fundit i janë krijuar një sërë lehtësish fiskale, si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, zero TVSH frigoriferëve, motorëve të anijeve të peshkimit si dhe kanë qenë në fokus të mbështetjes përmes skemave kombëtare, kryesisht sa i takon rinovimit të flotës detare. Ministrja e Bujqësisë është shprehur se mbështetja për këtë sektor do të vijojë edhe në vitet e ardhshme.

Eksportet e peshkut 7-mujori 2023

Peshk i freskët   1.1 miliardë lekë

Peshku i tharë, i kripur, tymosur  1.6 miliardë lekë

Molusqe 879 milionë lekë

Peshk i ngrirë 348 milionë lekë

Kafshë guackore 276 milionë lekë

Totali  4.3 miliardë lekë

Elisabeta Dosku / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat