Shqipëria Postuar më 19 September 2026, 10:47

Personat me aftësi të kufizuara - Ende vështirësi për të depërtuar në tregun e punës

Nga Fabjona Pasho

Pavarësisht rritjes së numrit të personave me aftësi të kufizuara që kërkojnë punë, përfshirja e tyre në tregun shqiptar të punës vijon të përballet me pengesa. 

Një raport i ri i Fondacionit Europian të Trajnimit, kushtuar Shqipërisë, analizon mundësitë e punësimit, rikthimit në tregun e punës dhe zhvillimit të aftësive për personat me aftësi të kufizuara. Raporti evidenton se, pavarësisht përmirësimeve në kuadrin ligjor dhe programeve të punësimit, mbetet ende një hendek mes politikave të miratuara dhe përfshirjes reale në punë.

Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se numri i personave me aftësi të kufizuara të regjistruar si punëkërkues në Shqipëri arriti në rreth 8 mijë gjatë vitit 2024. Vetëm një vit më parë, pra në 2023 ishin 2,656 të regjistruar, çka tregon një rritje të ndjeshme të kërkesës për punësim nga kjo kategori.

Në Shqipëri, legjislacioni parashikon masa për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, ndërsa prej vitit 2024 funksionon edhe Fondi Social i Punësimit, i cili synon të financojë programe punësimi, përshtatjen e vendeve të punës dhe mbështetjen e punëdhënësve. Megjithatë, raportet europiane vijojnë të evidentojnë nevojën për më shumë mundësi reale punësimi, shërbime mbështetëse, aftësim profesional dhe përshtatje të vendeve të punës me nevojat e personave me aftësi të kufizuara.

Një tjetër sfidë mbetet lidhja mes formimit profesional dhe punësimit. Politikat shqiptare parashikojnë kurse falas në qendrat publike të formimit profesional, programe për aftësi bazë, si edhe mbështetje financiare për përshtatjen e vendit të punës. Objektivi është që numri i personave me aftësi të kufizuara që përfitojnë nga programet e nxitjes së punësimit të rritet çdo vit.

Raporti i ETF e vendos çështjen e punësimit jo vetëm te krijimi i vendeve të punës, por edhe te aftësitë, orientimi profesional dhe mbështetja që personi merr për të hyrë dhe për të qëndruar në tregun e punës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat