Bota Postuar më 19 September 2026, 10:45

Buffett tërhiqet nga Berkshire Hathaway - E ka drejtuar konglomeratin gjigant që nga viti 1965

Nga Lidion Kulla

warren buffett

Uorrën Bafet ka njoftuar, në një letër drejtuar aksionerëve të kompanisë, se do të tërhiqet nga posti i kryetarit të bordit të (Berkshajër Hathauej) Berkshire Hathaway, kompani që e drejton që prej vitit 1965. Ai mori në dorë një fabrikë tekstili të falimentuar në moshën 34-vjeçare dhe gjatë 6 dekadave në vijim e shndërroi atë në një gjigant financiar dhe industrial. 

Warren Buffett do të tërhiqet nga posti i kryetarit të bordit të Berkshire Hathaway, konglomeratit me vlerë 1 trilion dollarë, të cilin e ka drejtuar që nga viti 1965. Investitori legjendar 96-vjeçar e njoftoi këtë vendim, në një letër drejtuar aksionarëve të premten.

Buffett do të bëhet kryetar nderi me efekt të menjëhershëm, ndërkohë që do të mbetet anëtar i bordit, njoftoi kompania në një deklaratë të veçantë. Djali i tij, Howard Buffett, do ta zëvendësojë në postin e kryetarit, në përputhje me një plan të kahershëm për trashëgiminë e detyrës. Susan Decker do të vazhdojë të shërbejë si drejtuese kryesore e pavarur e bordit.

Vendimi i tij vjen rreth 9 muaj pasi Greg Abel mori detyrën e shefit ekzekutiv (CEO), ndërsa Buffett ruajti postin e kryetarit të bordit. Buffett e kishte njoftuar për herë të parë largimin e tij nga posti i CEO-s në mbledhjen vjetore të Berkshire në maj të vitit 2025, duke habitur mijëra të pranishmit në atë kohë, pavarësisht moshës së tij.

Trashëgimia e Buffett në ndërtimin e kompanisë Berkshire, me qendër në Omaha të Nebraskës, është e pashembullt në botën e korporatave amerikane. Ai mori në dorë një fabrikë tekstili të falimentuar në New England në moshën 34-vjeçare dhe gjatë 6 dekadave në vijim e shndërroi atë në një gjigant financiar dhe industrial, me fitime operative prej 44,5 miliardë dollarësh vitin e kaluar dhe me afro 400,000 punonjës. Nën drejtimin e Buffett, Berkshire regjistroi një normë vjetore kthimi për aksionarët prej 19,7%, pothuajse dyfishi i indeksit S&P 500.

Në korrik të këtij viti, Buffett zbuloi për CNBC se ai ishte nismëtari i investimit të madh prej rreth 10 miliardë dollarë të Berkshire te Alphabet. Kompania mëmë e Google tani përbën investimin e tretë më të madh të Berkshire në aksione, pas Apple dhe American Express.

Aksionet e Berkshire kanë shfaqur vështirësi këtë vit dhe largimi i Buffett nga posti i kryetarit të bordit shton më tej presionin mbi Abel për të treguar rezultate. Vlera e aksioneve është rritur me vetëm 1% gjatë vitit, ndërkohë që indeksi S&P 500 ka shënuar një rritje prej më shumë se 11%. Rritja e çmimeve të naftës dhe prirja e investitorëve drejt segmenteve të tregut me rritje më të shpejtë janë pjesërisht shkaktare për këtë situatë, por aksionarët presin gjithashtu të shohin nëse drejtuesi i ri ekzekutiv do të jetë po aq i aftë sa Buffett, në menaxhimin dhe investimin e kapitalit të konsiderueshëm të kompanisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat