Bota Postuar më 10 Qershor 2023, 11:41

Parada e "heshtur" e sipërmarrësve në Kinë - Arsyeja, masat e marra nga Pekini për sigurinë kombëtare

Nga SCAN TV
Parada e "heshtur" e sipërmarrësve në Kinë -

Muajt e fundit, Kina ka përjetuar një paradë të vërtetë të Drejtorëve Ekzekutiv të gjigantëve amerikanë, duke përfshirë Elon Musk të Tesla-s dhe David Solomon të Goldman Sachs. Një tipar i përbashkët i vizitave ishte se drejtuesit e biznesit amerikan thanë pak për udhëtimin e tyre, duke u kufizuar në takime me zyrtarë qeveritarë, autoritetet lokale dhe bizneset me të cilat ata punojnë.

Elon Musk, i famshëm për shakatë e tij në Twitter, ka qenë jashtëzakonisht i rezervuar për udhëtimin e tij. Në vitin 2020 ai festoi dorëzimin e automjeteve të para Tesla nga uzina e Shangait duke kërcyer para gazetarëve. Këtë herë asnjë gazetar nuk u ftua për të mbuluar vizitën në fabrikë. Qëndrimi i Solomonit ishte i ngjashëm. Në vitin 2019 ka dhënë intervista dhe ka marrë pjesë në shumë evente. Por këtë herë ai pati vetëm takime me dyer të mbyllura me zyrtarë nga rregullatorët, fondi sovran i pasurisë së Kinës dhe një universitet.

Zyrtarët e Dhomës së Tregtisë dhe shoqatave tregtare ia atribuojnë këtë mungesë transparence faktit se marrëdhëniet politike dhe tregtare kino-amerikane kanë arritur  në pikën e tyre më të keqe në dekada. Për më tepër, theksi i Presidentit Xi Jinping mbi sigurinë kombëtare, dhe në veçanti masat që ai ka marrë kundër disa kompanive të huaja, po ngjall pasiguri tek shumë kompani që shqetësohen se mund të kenë shkelur ligjin kinez. Ekspertët shprehen se sipërmarrësit nuk janë më në kërkim të mundësive të reja, por po fokusohen në mënyrën se si të ruajnë partneritetet ekzistuese për këtë dhe të shmangin mediat, darkat e mëdha ose daljet publike.

Dhoma e Tregtisë e BE-së u shpreh se bizneset që operojnë në Kinë kanë qenë gjithmonë disi të kujdesshme dhe tani po përshtaten me ndryshime në disa sektorë të ndjeshëm. Nga ana e saj, Ministria e Jashtme kineze tha se liderët e shumtë të biznesit amerikan që vizitojnë Kinën janë një "votë besimi" për ekonominë kineze. Dhe ndërsa Presidenti Biden tha muajin e kaluar se ai parashikon një përmirësim të menjëhershëm të marrëdhënieve "të ngrira" me Pekinin, askush nuk e kundërshton që tensionet janë përshkallëzuar këtë vit me ndalimet e Uashingtonit për eksportet e teknologjisë mikroprocesore.

Megjithatë, është fakt se pas tre vitesh kufizime kundër pandemisë, të cilat në fakt ndaluan hyrjen e të huajve në Kinë, drejtuesit e biznesit amerikan po nxitojnë ta vizitojnë atë.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat