Europa Postuar më 6 Shkurt 2023, 13:34

Paneli diellor i së ardhmes prodhon 10% më shumë energji - Investim prej 600 milion eurosh për fabrikën 3Sun në Itali 

Nga SCAN TV
Paneli diellor i së ardhmes prodhon 10% më shumë energji -

Deri në vitin 2024, Enel – Enti Kombëtar për Energjinë Elektrike në Itali, do të prodhojë panele të reja fotovoltaike në gjendje të rrisin efikasitetin në kapacitetin e absorbimit të dritës së diellit për çdo modul, nga 21% e modeleve aktualisht në treg, deri në 28%. Kjo do të thotë se për të njëjtën sipërfaqe të zënë nga panelet, kapaciteti për të prodhuar energji rritet me pothuajse 10%. Është një avantazh i rëndësishëm konkurrues për kompaninë që vendos të prodhojë vetë energji elektrike duke instaluar panele dhe bateri: me të njëjtën sipërfaqe të zënë dhe shpenzime investimi - ose ndoshta pak më shumë sepse këto panele fillimisht do të jenë pak më të shtrenjta se ato kineze -  energjia e prodhuar do të jetë dukshëm më e lartë.

Kjo risi mund të bëhet vendimtare në mundësinë e instalimit të paneleve fotovoltaike në çatitë e godinave, ku zvogëlimi i sipërfaqes së zënë nga këto sisteme është vendimtar për të kapërcyer ‘veton e peizazhit’ dhe për të gjetur zgjidhje që mund të plotësojnë të gjitha godinat. Këto panele të reja, më efikase do të dalin në treg përmes rrjetit të tregtarëve, dhe për këtë arsye do të jenë të disponueshme për blerje nga familjet, duke filluar nga viti 2024. Vlera e shtuar e paneleve në fabrikën e re 3Sun qëndron në inovacionin pas kësaj rritje të efikasitetit. Enel inauguroi zyrtarisht në 6 shkurt fillimin e punimeve në Catania. Një bllok fillestar i fabrikës së re është ndërtuar tashmë: fabrika e Catania-s ekziston tashmë për më shumë se 10 vjet dhe këtu janë projektuar dhe prodhuar panelet e para të dyanshme, të cilat mund të thithin rrezet e diellit nga të dyja anët. Megjithatë, prodhimi tani është ndalur për të lejuar zgjerimin e kapacitetit të prodhimit dhe futjen e paneleve edhe më inovative. Rasti është financimi i marrë me fondet evropiane për inovacion, në total 118 milionë euro, të cilave u shtohen edhe 400 milionë euro të tjera të investuara nga Enel. Synimi është rritja e kapacitetit të prodhimit nga 200 megavat fuqi aktuale në 400 megavat në fund të 2023 - shit për të arritur në 3 gigavat në vitin 2024. Objektivat e deklaruara të kompanisë përfshijnë atë të krijimit të një mijë vendeve të reja pune deri në vitin 2024.

Panelet diellore HJT - Hetero Junction Technology - janë një nga pikat e forta të 3SUN, e cila e prodhon këtë teknologji të re ekskluzivisht në botë, bazuar në heterounksionin - kryqëzimi i dy llojeve të ndryshme të silikonit, amorf dhe kristalor - me performancë veçanërisht të lartë. Inovacioni teknologjik tani i lejon Enel të shkojë më tej dhe të rrisë më shumë kapacitetin absorbues të paneleve, gjithashtu duke zëvendësuar xhamin me plastikë.

Enel ka nisur negociatat për të shitur 50% ose edhe më shumë aksione në fabrikën 3Sun në Catania. Një rrugë e ngjashme do të ndiqet edhe për impiantin, i ngjashëm me atë të Katanias, që grupi elektrik synon ta ndërtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ideja është që të përdoren lehtësimet tatimore të parashikuara nga Akti i Reduktimit të Inflacionit për të bërë një investim prej mbi një miliardë dollarësh dhe për të ndërtuar një impiant 3 gigavat që mund të prodhojë deri në 6 gigavat në vit. Prodhimi europian i polisilikonit do të përdoret gjithashtu për prodhimin e paneleve në SHBA. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë po aq të varura nga importimi i paneleve nga Azia sa edhe Europa.

Në vitin 2022, në Bashkimin Europian u instaluan 41 mijë megavat panele diellore.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat