Shqipëria Postuar më 29 Mars 2023, 13:01

Nis privatizimi i plotë i ish-ndërmarrjeve bujqësore - Ligji/ Kriteret dhe procedura për subjektet që kanë në përdorim këto objekte

Nga SCAN TV
Nis privatizimi i plotë i ish-ndërmarrjeve bujqësore - Ligji/

Bizneseve që kanë në përdorim objekte të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por nuk janë regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe nuk janë pajisur me dokumente pronësie, do t’u jepet mundësia që të përfundojnë procesin e plotë, duke u bërë pronarë të ligjshëm. Ligji për  “Për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore”, i cili finalizon këtë proces që zvarritet prej vitesh, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi në mesin e muajit prill.

Sipas relacionit që shoqëron ligjin, rezultojnë rreth 1100 objekte, për të cilat nuk ka përfunduar procesi i privatizimit, objekte të cilat i përkasin ish- Ndërmarrjeve Bujqësore (NB) dhe ndërmarrjeve bujqësore të braktisura.

Konkretisht, nga ky ligj përfitojnë objekte  për  të  cilat  ka  përfunduar  procesi i vlerësimit,   likuidimit   dhe   pajisjes   me   kontratë  shitjeje nga ish-Agjencia Qendrore e Ristrukturimit dhe  Privatizimit  të  Ndërmarrjeve  Bujqësore; kur  objekti  figuron  i  regjistruar  në  regjistrat kadastralë  dhe  i  tjetërsuar  tek  të  tretët,  edhe  nëse  nuk ka akt të origjinës së fitimit të pronësisë (akti i  privatizimit/shitjes)  apo  ai  nuk  është  në  formën  e  kërkuar  nga  ligji  (pa  akt  noterial); kur  objekti  figuron  i  regjistruar  në  regjistrat kadastralë  në emër të përfituesit  të  privatizimit/shitjes  edhe   nëse   dokumentacioni  i  privatizimit/shitjes nuk është i plotë apo nuk është  në  formën  e  kërkuar  nga  ligji  (pa  akt  noterial); kur  pasuritë,  objekt  (ndërtesë)  dhe  truall figurojnë të regjistruara në regjistrat kadastralë ende  në  pronësi  të  përfituesit  të  parë  të  tyre,  përpara  hyrjes  në  fuqi  të  këtij  ligji,  por  akti  i  privatizimit/  shitjes  nuk  është  sipas  formës  së  kërkuar  nga  ligji  (pa akt noterial).

Subjektet paraqesin në ministri kërkesën për përfundimin e procesit, e cila i kërkon Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, sipas qarkut ku ndodhet objekti për të cilin është bërë kërkesa për përfundimin e procesit të privatizimit.

Agjencia përkatëse depoziton në ministri dokumentacionin dhe pas verifikimit që praktika është e plotë dhe në përputhje me legjislacionin vijohet me nënshkrimin e kontratës së shitjes me individin që ka filluar procesin e privatizimit ose, në rast të vdekjes së tij, me trashëgimtarët ligjorë ose testamentarë të tij.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat