Europa Postuar më 12 Gusht 2022, 10:51

Nilevi i ulët i lumit Ren, pasoja për ekonominë gjermane - Transportuesit e qymyrit në vështirësi, detyrohen të reduktojnë furnizimet

Nga SCAN TV
Nilevi i ulët i lumit Ren, pasoja për ekonominë gjermane -

Duke u përgatitur për recesionin dhe mungesat e energjisë në sezonin e dimrit, bizneset gjermane po përballen me një mungesë tjetër të rëndësishme: atë të reshjeve.

Javët e temperaturave të nxehta dhe reshjeve të pakta të shiut këtë verë kanë zbrazur nivelet e ujit të Ren, arteria tregtare e vendit, duke shkaktuar vonesa në transport dhe duke pesëfishuar kostot e transportit.

Duke rrjedhur nga Alpet zvicerane deri në Detin e Veriut nëpërmjet qendrave industriale gjermane, lumi është një rrugë kryesore për produktet që variojnë nga drithërat, kimikatet dhe qymyri.

Ekonomistët vlerësojnë se ndërprerja mund të ulë deri në gjysmë pikë përqindjeje rritjen e përgjithshme ekonomike e Gjermanisë këtë vit.

“Servia”, një anije 135 metra e gjatë që transporton minerale hekuri nga porti i Roterdamit në fabrikën e prodhuesit gjerman të çelikut Thyssenkrupp në Duisburg, mund të ngarkojë vetëm 30-40% të kapacitetit të saj ose rrezikon të bllokohet.

Anijet e tjera, në pamundësi për të përballuar ujërat e cekëta kanë ndërprerë totalisht lundrimin.

Tarifat e mallrave në Ren janë rritur në rreth 110 euro për ton nga rreth 20 euro që ishte në qershor për një maune cisternë. Grupi i kimikateve BASF javën e kaluar tha se nuk mund të përjashtonte reduktimet e prodhimit.

Agjencia e vlerësimit të kredisë Moody's tha se nivelet e ulëta të ujit të Ren do të rrisin kostot për kompanitë e kimikateve, veçanërisht ato me objekte prodhimi në Ren-in e sipërm dhe mund të shkaktojnë reduktime të prodhimit.

Termocentralet e qymyrit –të rikthyera në modë si një alternativë ndaj furnizimeve me gaz rus – përballen me mungesa të furnizimit me anije që nuk janë në gjendje të marrin mjaftueshëm qymyr.

Utility Uniper, e cila iu drejtua qeverisë gjermane për një paketë shpëtimi në korrik, pas humbjeve të shkaktuar nga kriza energjetike, që atëherë ka paralajmëruar për reduktime të mundshme të prodhimit në dy nga centralet e saj që përbëjnë 4% të kapacitetit të energjisë elektrike të prodhuar nga qymyri në Gjermani.

Në jug, Zvicra po lëshon 245 mijë metra kub të rezervave të saj të naftës për të plotësuar kërkesat si pasojë e kufizimeve të furnizimit të shkaktuara nga nivelet e ulëta të Ren-it.

Disa kompani janë përshtatur që nga thatësira e vitit 2018. BASF tha se kishte zbatuar një sistem paralajmërimi të hershëm për nivelet e ulëta të ujit dhe gjithashtu po merr me qira dhe ndërton anije të përshtatshme për ujëra më të cekëta.

Ndërkohë importuesit gjermanë të qymyrit shpresojnë se nivelet e lumenjve do të rriten së shpejti për t'i lejuar ata të plotësojnë një kërkesë që, ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon, nuk tregon asnjë shenjë pakësimi.

Dorina Kurtaj / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=drqeRCddCzk

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat