Shqipëria Postuar më 7 Shtator 2023, 13:34

Nga kapitali, te rreziku i kursit të këmbimit - Shtohen rregullat për bankat tregtare. Raportim periodik për pozicionet valutore

Nga SCAN TV
Nga kapitali, te rreziku i kursit të këmbimit - Shtohen rregullat

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar një seri ndryshimesh në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit” nga ana e bankave tregtare. Në mënyrë të veçantë i kushtohet rëndësi forcimit të standarteve të raportimeve periodike lidhur me rreziqet, proces që do të bëhet çdo tre muaj përmes plotësimit të formularëve përkatës.

Ndryshimet, që janë publikuar në Fletoren Zyrtare, tregojnë se shtimi i vëmendjes shtrihet në të gjithë komponentët e rëndësishëm të aktivitetit bankar, nga kërkesa për kapital për rrezikun e kredisë, te kërkesa për kapital për rrezikun e tregut, te kërkesa për kapital për rrezikun operacional.

Ndërkaq, një prej formularëve të rinj, do i dedikohet tërësisht rrezikut të kursit të këmbimit. Në të do të paqyrohen rregullisht të dhënat e pergjithshme të institucionit bankar, raportimi i pozicionit valutor neto, raportimi i kërkesës për kapital për pozicionin neto të hapur valutor, rreziqet e tjera, si dhe kërkesa për kapital.

“Ekspozimet, të cilat sipas kuadrit rregullator në fuqi, konsiderohen të pambrojtura ndaj luhatshmërisë së kursit të këmbimit, do të pasqyrohen në atë klasë ekspozimi në të cilën do të përfshiheshin sikur të mos e kishin këtë veçori, pavarësisht se në rregullore, të tilla ekspozime trajtohen në klasën e ekspozimeve me rrezik të lartë”, përcakton një prej ndryshimeve të sapomiratuara.

Lorenc Rabeta / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat