Bota Postuar më 21 Korrik 2022, 10:53

Ndryshimet klimatike – Industria e turizmit në rrezik?!

Nga SCAN TV
Ndryshimet klimatike – Industria e turizmit në rrezik?!

Plazhe që zhduken, nxehtësi ekstreme, uragane, pista skish që shkrijnë, të gjitha këto ndikojnë edhe tek industria e turizmit. Edhe pse jo në atë masë që ishte menduar.

Kush do të shohë nga afër pasojat e ndryshimeve klimatike, duhet vetëm të bëjë një udhëtim në plazhin kryesor të Majorkës, Es Trenc ku prej shumë vitesh aty ndodhen bunkerët, të ndërtuar me urdhër të diktatorit Franko. Fillimisht ato ishin ndërtuar mirë të fshehura në mes të peizazhit të dunës. Sot ato duken me sy nga larg në mes të plazhit dhe dëshmojnë, sesi ndryshimi i nivelit të detit po e tjetërson zonën. Sipas shkencëtarëve ky plazh i mrekullueshëm që nga viti 1979 është ngushtuar deri në 40 metra në disa vende dhe ky nuk është rasti i vetëm në ishull: Nëse ngrohja globale vazhdon siç parashikohet, dhjetëra plazhe do të zhduken prej përmbytjeve.

Megjithatë deri tani zhdukja e plazheve nuk ka ndikuar ende në statistikat e pushuesve. Majorka po shkon drejt një vere rekord. Në vitin 2022 do të vizitojnë ishullin më shumë turistë se sa ndoshta kurrë më parë.

Edhe pse prej shumë vitesh shtohen paralajmërimet për pasoja për industrinë e turizmit, ka vetëm disa studime, që tregojnë efektet konkrete. Kushdo që shkon prej 20 vjetësh për pushime verore në Itali, do të vazhdojë ta bëjë këtë. Ngjarjet si aksidenti në akujt e Dolomiteve, ku humbën jetën njëmbëdhjetë persona në fillim të korrikut, duket se i bëjnë njerëzit të mendojnë vetëm për pak kohë.

Nëse në të njëjtat vende do të ketë vazhdimisht përmbytje apo ortekë, atëherë kjo do të ndikojë në turizmin atje por deri më tani kjo nuk ka ndodhur, pasi kanë qenë ngjarje të izoluara. Dihet se rreziku ekziston, por ai akoma nuk lidhet dot me ndonjë rajon të caktuar. Përjashtim përbejnë Karaibet, siç tregoi stuhia e fortë tropikale, që shkatërroi Bahamas në shtator 2019 dhe si rezultat edhe turizmin në shtetin ishull.

Industria e turizmit të skijimit është veçanërisht e ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike - rritja e temperaturave zvogëlon sigurinë e dëborës dhe akullnajave dhe këtu është më e madhe mundësia të provohet lidhja mes ndryshimit të klimës dhe turizmit. Problemi është shumë i njohur, veçanërisht në Alpe por megjithatë deri më tani ai ende mund të fshihet falë teknologjisë moderne. Dëbora artificiale ka kufijtë e saj dhe është e mundshme vetëm deri në një temperaturë të caktuar. Tashmë ka zona ku skijimi nuk është më i mundur gjatë gjithë vitit për shkak të shkrirjes se akullit.

Shkrirja e borës, zhdukja e plazheve, uraganet dhe përmbytjet janë vetëm disa nga fenomenet, që do të sjellin me vete ndryshimet klimatike dhe që do të kenë ndikim mbi turizmin. Edhe mungesa e ujit dhe nxehtësia ekstreme mund t'i bëjnë rajonet e pushimeve jo tërheqëse për udhëtarët, paralajmërojnë ekspertët prej vitesh.

Që në vitin 2008 Organizata Botërore e Turizmit ka paralajmëruar për vulnerabilitetin e këtij sektori ndaj ndryshimit të kushteve klimatike. Zjarret e pyjeve, sëmundjet e reja infektive, humbja e biodiversitetit, shfaqjet e shtuara të kandilit të detit për shkak të rritjes së temperaturave të detit - të gjitha këto mund të përbëjnë probleme të mëdha për rajonet tradicionale të turizmit. Veçanërisht rajonet më veriore mund të tërheqin më shumë turistë në të ardhmen.

E . S / SCAN

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat