Shqipëria Postuar më 15 Dhjetor 2022, 14:28

Ndërtuesit çojnë në Kushtetuese Vendimin për shkeljet e lejeve - Rama: Le të shkojnë edhe në Hagë, ose në Hënë. Uroj që Gjykata të mos lajthisë

Nga SCAN TV
Ndërtuesit çojnë në Kushtetuese Vendimin për shkeljet

Pas Partisë Demokratike, ka qenë Shoqata e Ndërtuesve ajo që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Vendimin e Qeverisë të pak muajve më parë për t’u rishitur ndërtuesve shtesat pa leje të objekteve. Vendimi përcakton që fillimisht objekti apo shtesa do kalohet me akt noterial në pronësi shtetit, e më pas të parablihet nga ndërtuesi.

Përpara fillimit të procedurës së konfiskimit, përcakton Vendimi i Këshillit të Ministrave, dhe deri në marrjen e vendimit të konfiskimit nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit, zhvilluesi apo çdo subjekt i autorizuar prej tij, me akt noterial kalon në favor të shtetit, me kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro, të drejtën e pronësisë së sipërfaqeve të ndërtuara pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit, me qëllim  përdorimin e tyre për nevoja të strehimit social apo për interes publik. Më tej, Vendimi i jep ndërtuesve të blejnë të gjithë sipërfaqen me ccmim tregu.

Vendimi është konsideruar fillimisht antikushtetues nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i cili e dërgoi atë në Gjykatë përpara rreth 2 muajsh me firmat e 28 deputetëve. Menjëherë pas lajmit se tashmë edhe Shoqata e Ndërtuesve kërkon antikushtetueshmërinë e Vendimit, ka reaguar Kryeministri Rama, i cili ka theksuar se ligji do zbatohet dhe se shpreson që Gjykata të mos lajthisë.

“Shoqata e Ndërtuesve qenka ankuar në Gjykatën Kushtetuese pse po goditen rëndë pallatet me shkelje të lejeve të ndërtimit! Le të shkojnë edhe në Hagë ose në hënë po të duan, po pallatet me shkelje do prishen ose do konfiskohen për interes publik prandaj uroj që Gjykata Kushtetuese të mos lajthisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Lorenc Rabeta/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat