Shqipëria Postuar më 21 Qershor 2024, 13:35

Ndërtime brenda zonave të mbrojtura - Projektvendimet: Do të lejohen në rastet kur subjekti pajiset me leje nga KKT

Nga SCAN TV
Ndërtime brenda zonave të mbrojtura - Projektvendimet: Do të

Pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar projektvendimet për 9 peizazhe të mbrojtur, duke përcaktuar aktivitetet që lejohen apo jo të zhvillohen brenda këtyre territoreve, që kanë vlera të larta natyrore.

Në secilin prej dokumenteve të nxjerrë për konsultim publik, përcaktohet se qëllimi është ruajtja dhe mbrojtja e vlerave peizazhistike të zonës së mbrojtur mjedisore dhe përbërësve të rëndësishëm të biodiversitetit dhe të natyrës në to.

Megjithatë, tashmë brenda këtyre zonave mund të zhvillohet veprimtari të tilla si ndërtime, trajtimi i ujërave të zeza në ferma, ndërtimi i kanaleve lundruese, autostradave, zonave urbane, si dhe veprimtari të ngjashme me këto, në rastet kur subjekti pajiset me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Me ligjin e vjetër këto aktivitete kanë qenë të ndaluara për t’u zhvilluar brenda zonave të mbrojtura për shkak të dëmeve të pakthyeshme që sjellin në mjedis. Ndryshimet e ligjit u propozuan nga 12 deputetë të Partisë Socialiste, por gjithsesi varianti final i miratuar në muajin shkurt të këtij viti mbajti në konsideratë propozimet e bëra nga qeveria.

Ai u miratua mes protestash nga ana e organizatave të shoqërisë civile, që kundërshtuan ndryshimet që në momentin që ato u propozuan, pikërisht për faktin se po i hapej rrugë ndërtimeve.

Projektvendimet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit janë hartuar për peizazhet e mbrojtur: Pishë  Poro – Nartë, Bredhi i Drenovës - Sinicë, Lumi Buna – Velipojë, Liqeni i Pogradecit, Rrushkull, Kuturman – Qafë Bushi, Krastë – Verjon dhe Guri i Nikës – Valamarë. Ndërkohë që, organizatat mjedisore dhe deputetët e Partisë Demokartike kanë deklaruar se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar shfuqizimin e ligjit.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat