Shqipëria Postuar më 5 November 2026, 13:15

Modernizim sistemit të pagesave - Guvernatori Sejko, takim me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të BQE, Cipollone 

Nga SCAN TV

Modernizim sistemit të pagesave - Guvernatori Sejko, takim me anëtarin

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zhvilloi një takim me Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, i cili vizitoi Shqipërinë me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Skemave Rajonale të Kartave dhe Infrastrukturave të Tregut Financiar për Pagesat me Vlerë të Vogël.

Gjatë takimit, një vëmendje e veçantë iu kushtua modernizimit të infrastrukturës së pagesave në Shqipëri, në funksion të rritjes së efikasitetit, uljes së kostove dhe zgjerimit të aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet financiare. Guvernatori theksoi se pjesëmarrja në Zonën Unike të Pagesave në Euro, SEPA, ka mundësuar tashmë uljen e kostove dhe shkurtimin e kohës së transfertave, duke nxitur përdorimin e kanaleve digjitale dhe të pagesave formale.

Në vijim, ai u ndal te zbatimi i projektit TIPS Clone, si një tjetër hap i rëndësishëm që synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesa të menjëhershme, në përputhje me standardet evropiane dhe që do të funksionojë në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, duke krijuar njëkohësisht kushte për zhvillimin e mëtejshëm të pagesave ndërkufitare.

Nga ana e tij, z. Cipollone vlerësoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për modernizimin e tregut të pagesave dhe përafrimin me standardet evropiane. Ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të shërbimeve të sigurta, efikase dhe të aksesueshme, si dhe të bashkëpunimit institucional për avancimin e integrimit financiar të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat