Shqipëria Postuar më 30 Shtator 2024, 15:14

Ministri Hoxha propozon Ilir Prodën Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit!

Nga SCAN TV
Ministri Hoxha propozon Ilir Prodën Drejtor të Përgjithshëm

 

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, emrin e Ilir Prodës, teksa vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës.

Ministria e Brendshme njoftoi sot se, Komisioni i Posaçëm ka shpallur se 5 kandidatët më të vlerësuar janë, në rend alfabetik, Altin Mena, Ardian Çipa, Ilir Proda, Neritan Nallbati dhe Skënder Hita.

Në njoftim thuhet se, në mbështetje të ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Brendshme shpalli thirrjen publike për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të të njëjtit ligj, zhvilloi seanca dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 11 kandidatët e kualifikuar, sipas kritereve të këtij procesi.

Seancat dëgjimore u ndoqën nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit.

Komisioni i Posaçëm kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH),  Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik, Altin Mena, Ardian Çipa, Ilir Proda, Neritan Nallbati, Skënder Hita.

Hoxha do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat