Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2024, 14:22

Meloni, nga Shëngjini: Më 1 gusht hapen qendrat për emigrantët - Kryeministrja e Italisë: Krenare për zbatimin e marrëveshjes

Nga SCAN TV
Meloni, nga Shëngjini: Më 1 gusht hapen qendrat për

Në datën 1 gusht do të jenë në funksion të plotë kampet e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar Edi Rama, inspektuan punën që po bëhet për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër. Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, numri një i qeverisë italiane publikoi edhe disa shifra sa i përket ngritjes së këtyre dy qendrave.

Giorgia Meloni, Kryeministre e Italisë

“Kjo strukturë në Shëngjin do të kryejë pikërisht funksionin e pritjes së emigrantëve dhe ju e dini shumë mirë numrin e madh të klandestinëve që kanë mbërritur në brigjet e Italisë dhe të gjitha ato procedura që do të ndiqen që nga momenti i identifikimit, marrjes së gjurmës së gishtave, fotografisë dhe pastaj emigrantët që janë shpëtuar nga anijet italiane, do të transferohen në qendrën e Gjadrit.

Në Shqipëri nuk do të vijnë gratë shtatëzëna, fëmijët, personat në një moshtë të caktuar. Do të jetë një strukturë ku do të kryhen të gjitha procedurat e kalimit të kufirit dhe që kërkojnë maksimumi 28 ditë ku do të trajtohen edhe kërkesat për azil. Do të kemi një përshpejtim të procedurave për emigrantët që vijnë nga vende të sigurta dhe gjithashtu do të zgjerojmë numrin dhe prejardhjen e emigrantëve që do të vijnë në Shqipëri.

Struktura e Gjadrit do të ketë edhe një funksion tjetër, pra aty ku do të ndalen emigrantët që do të mbërrijnë, do të ketë edhe një zonë ku do të mbahen emigrantët e burgosur në rast se do të kryejnë vepra penale. Rendi brenda qendrave do të garantohet nga autoritetet italiane dhe do të jenë operative më 1 gusht 2024. Vonesat në realizmin e punimeve, ndodhën për shkak të terrenit të vështirë. Nga vendet e sigurta kanë mbërritur në Itali rreth 11 mijë persona ku gjysma prej tyre janë subjekte vulnerabël dhe ku faktikisht ne duhej të kishim dërguar në Shqipëri rreth 5500 për të vijuar me trajtimin e tyre në qendër.

Transporti do të kryhet nga anijet e marinës italiane, guardia di finanza, e kështu më radhë. Ministria e Brendshme ka hapur edhe një garë për shpenzimet e transportit të cilat arrijnë shifrën 3.5 milionë euro. Kemi 334 mln euro në vit që përbëjnë 7.5% të trajtimit të emigrantëve në territor kombëtar. Këto burime nuk duhet të konsiderohen si shërbime shtesë. Këtë vit kemi arritur një ulje prej 60% të emigrantëve që kanë mbërritur në brigjet italiane. Ne nuk po bëjmë kosto, por investim. Me kapacitetin e këtyre qendrave, të atyre emigrantëve që nuk priten në Itali, do të kursejmë 136 mln euro."

Nga ana tij, kreu i ekzekutivit shqiptar, tha se kjo është një marrëveshje mirënjohje ndaj një vendi mik siç është Italia.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

“Duhet të falënderoj Giorgian, kryeministren e një vendi me të cilin jemi të lidhur në mënyrë të pandashme, të pashlyeshme për të gjithë afeksionin dhe gjithë vullnetin e mirë që ka treguar teksa e ka shoqëruar Shqipërinë në rrugëtimin e saj të plotë drejt Bashkimit Europian. Italia ka qenë gjithmonë avokati ynë më i rëndësishëm në Bruksel dhe të kesh sot këtu nderin të jemi të dobishëm është diçka që ne e shohim si një bekim.”

Të dy krerët e qeverive theksuan që ky bashkëpunim është vlerësuar nga Bashkimi Evropian dhe pritet që të merret edhe si model nga vendet anëtare. Jetësimi i kësaj marrëveshjeje ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë pritet që të ndihmojë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm.

Ledina Elezi/SCAN

 

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni

 

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Kryeministren e Italisë Georgia Meloni, me të cilën vizituan strukturat pritëse të migrantëve në zonën e Shëngjinit, në Lezhë, sipas Protokollit të nënshkruar ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet vendeve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.

Pas kësaj vizite, kryeministri Rama dhe Kryeministrja italiane Meloni dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Do të flas në italisht sepse gjithsesi këtu jemi në territor italian.

Një mirëseardhje të ngrohtë për të gjithë dhe veçanërisht për gazetarët italianë. Më lejoni të shpreh lehtësimin  dhe kënaqësinë time që t’ju shoh të gjithëve këtu shëndoshë e mirë në këtë zonë që sipas një gazete italiane e cila merret me të nesërmen, zemra, thelbi i kriminalitetit shqiptar është vendi ku veprojnë klanet të cilat lidhen me trafikun e qenieve njerëzore.

Më duhet t’ju rrëfej që e kemi marrë shumë seriozisht këtë “zbulim” shqetësues dhe meqenëse gazeta e të nesërmes thoshte edhe që Prokuroria po merret me zbulimin e këtyre klaneve, do të thotë që po merremi së bashku me Prokurorinë e posaçme për krimet e rënda dhe na siguruan që ky klan nuk ekziston as në këtë zonë dhe as në vende apo në zona të tjera të Shqipërisë, ku sigurisht, veprojnë grupe kriminaliteti, por sipas prokurorisë së posaçme, e cila është pjesë e rrjetit Eurojust, nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare, një koncept ky mjaft i përdorur kohët e fundit për të hedhur baltë mbi Shqipërinë, por duke cituar kreun e Prokurorisë së Posaçme shumë të nderuar, nuk mund të themi që në këtë vend ekzistojnë struktura, të cilat u ngjajnë organizatave mafioze të llojit Cosa Nostra, Ndragheta, Camorrra apo Sacra Corona Unita sepse grupet kriminale shqiptare nuk kanë hierarki të tyre dhe veprojnë në rrethe të ngushta familjare apo shoqërore.

Nuk mund të mos e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur një trishtim për vetëm gjysmë të vërtetat, të cilat janë thënë në mediat italiane, përfshirë këtu shërbimin publik italian, mbi Shqipërinë, me qëllimin fare të qartë për të hedhur baltë mbi këtë vend, për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive, marrëveshjen e bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Duhet të kenë turp, pra të turpërohen të gjithë ata që të drejtën demokratike për të kundërshtuar këtë marrëveshje, e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të vetë publikut italian.

Falënderoj të gjithë ata që kanë treguar solidaritetin e tyre ndaj nesh.

Kam marrë mesazhe të shumta nga miq në Itali, në botën e kulturës, të sportit, kundrejt atij lumi balte të shpërthyer ndaj Shqipërisë dhe ndaj qeverisë sonë, qeveri, e cila mund të ketë mbi vete të gjitha mëkatet e botës, por kurrë nuk ka pasur mbi vete mëkatin e një dite të vetëm paqeje në luftën kundër krimit dhe as mëkatin që të kthejë kurrizin kur i është kërkuar të ndihmojë Italinë dhe jo vetëm Italinë. Do më duhet t’ju tregoj që diku, disa qindra metra prej këtu, në një hotel të madh, jeton më shpenzimet tona, tashmë prej dy vjet e gjysmë një komunitet afganësh.

Janë gati 350 njerëz që i janë larguar vdekjes pas rënies së Kabulit dhe që janë mikpritur dhe pranuar nga Shqipëria me mijëra njerëz, të cilët asnjë prej vendeve anëtare të NATO-s nuk pranoi t’i pranonte. Një pjesë e mirë e tyre janë strehuar në SHBA dhe në Kanada ndërkohë që çdo të premte mbërrin një avion me 90 apo deri në 120 persona, të cilët qëndrojnë këtu për në periudhë 3 deri në 6 muaj për t’u transferuar më pas. Ata të cilët nuk arrijnë t’i  kalojnë filtrat mbeten të strehuar prej nesh dhe as nuk do t’i largojmë, as do të kërkojmë para për ta nga NATO që i bëri ata të ëndërronin demokracinë dhe jetën e bukur me gjithë të mirat në Afganistan dhe as nga Bashkimi Europian edhe pse më duhet t’ju rrëfej që këto para , nuk janë shuma dhe aq të vogla për arkën tonë. Por si të shpjegojmë faktin që disa gazetarë investigativë apo të kërkimit, vijnë këtu dhe nuk i shohin ata? Pra nuk shohin këta qindra emigrantë që i janë vjedhur vdekjes, por shohin fantazma, shohin shpirtra të kriminalitetit që ekzistojnë vetëm në mendjet e tyre kur paguajnë biletën për të mbërritur në Shqipëri, për të informuar publikun e tyre me lajme të shkruara tashmë më parë. Ok, është ajo që është, siç do të thoshte ish banori i Shtëpisë së Bardhë. Çdonjëri prej nesh bën atë që mendon se është e dobishme.

Mua, më duhet të them që jam krenar për  Shqipërinë që mund t’i shërbejë Italisë.

Italia ka qenë e dobishme dhe i ka shërbyer Shqipërisë shumë, shumë herë dhe nëse ne kemi mundësinë për të qenë të dobishëm për Italinë, pra për t’i shërbyer asaj një herë, dy, tre, atëherë le ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta bëjmë këtë me zemër dhe me bindjen që deti mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është një hapësirë e cila na ndan, është një hapësirë që na bashkon dhe kjo prej mijëra vitesh.

E në një çast kaq të vështirë, jo vetëm për Italinë, por për gjithë Evropën, ne jemi shumë krenarë që mund të japim ndihmën tonë jo si europianë të bashkuar brenda BE-së, por si evropianë me BE-në, sepse në fund të fundit askush nuk vendos nëse ne jemi evropianë apo jo, askush nuk ka vendosur ta vendoste Shqipërinë dhe shqiptarët në zemër të Europës, pastaj sigurisht mund të diskutojmë për çdo gjë dhe mund të kemi dyshime për çdo gjë, qoftë edhe mbi mirësinë që kjo marrëveshje ka, nëse do të jetë diçka me vlerë apo do të jetë një gabim nuk e di, por sidoqoftë, nëse do të jetë një gabim do të jetë një gabim i bërë me zemër e jo me llogaritjet e egra.

Ndërkohë që, në vend që të flasim e të flasim, ne u përpoqëm që të bëjmë pa pasur pretendimin që ta zgjidhim këtë problem kaq të madh të migracionit në Europë, por nga ana tjetër, pa ndenjur në vend thjesht, duke biseduar e folur për këtë - siç bënin dikur priftërinjtë e Kostandinopojës që flisnin për seksin e engjëjve, ndërkohë që muret e qytetit ishin bërë gjithë vrima nga goditjet, - por duke u përpjekur që të ndërtojmë dhe të shtojmë diçka konstruktive.

Thënë kjo, shpresoj që të mund të kuptohet trazimi që kam në shpirtin tim për faktin që kam jetuar si kryeministër i këtij vendi të gjithë këtë spektakël gjysmë të vërtetash, që janë gënjeshtra, falsitete të mëdha dhe çaste të një balte të pamerituar ndaj shqiptarëve dhe ndaj Shqipërisë.

Nga ana tjetër, duhet të falënderoj Giorgian, kryeministren e një vendi me të cilin jemi të lidhur në mënyrë të pandashme, të pashlyeshme për të gjithë afeksionin dhe gjithë vullnetin e mirë që ka treguar teksa e ka shoqëruar Shqipërinë në rrugëtimin e saj të plotë drejt Bashkimit Europian.

Italia ka qenë gjithmonë avokati ynë më i rëndësishëm në Bruksel dhe të kesh sot këtu nderin të jemi të dobishëm është diçka që ne e shohim si një bekim.

Nga ana tjetër, më duhet të them që për ne këtu në Shqipëri nuk ka të bëjë ngjyra e forcave politike të cilat qeverisin Italinë. E ka qeverisur Italinë e majta, qendra e majtë, e djathta, qendra e djathtë, janë këmbyer pozicionet e tyre në bazë të vullnetit që populli italian ka pasur, por me të gjithë kemi pasur një marrëdhënie vëllazërie dhe të gjithë kanë bërë më të mirën e tyre për të na ndihmuar.

Kjo duhet kuptuar mirë edhe nga shokët e mi të dashur të së majtës italiane sepse kur ata shprehin konsiderata për mënyrën se si vepron qeveria shqiptare kundrejt Italisë, duhet edhe të kuptojnë që tesera e anëtarësimit në një parti dhe në një fushë politike veprimi, në një fushë politike, nuk kanë të bëjë. Për ne, qeveria italiane ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë qeveria e një vendi me të cilin na lidh një miqësi shumë e veçantë dhe një aleancë strategjike që ne duam ta zhvillojmë dhe ta fuqizojmë hap pas hapi.

Nëse gabon qeveria italiane, ne marrim pjesë në atë gabim pa asnjë ngurrim, por le të mos e kthejmë këtë në një çështje politike të përditshme dhe në një çështje gabimesh që janë një tjetër arsye për t’u ndjerë si në shtëpi kur ndjekim politikën italiane sepse jemi shumë të ngjashëm, një ngjashmëri e cila ndonjëherë të bën të mendosh “Po pse nuk i bashkojmë dy vendet tona në një dhe kështu të bashkojmë edhe partitë politike, edhe gazetarët dhe le të bëjmë një festë të madhe gjysmë të vërtetash dhe pune të përbashkët”?

Faleminderit dhe tani fjala për kryeministren.

(vijon)

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat