Shqipëria Postuar më 8 Nëntor 2023, 12:11

Mashtronin shtetasit nga disa kontinente që të investonin në tregje fiktive – Policia bllokon 2 call-center dhe sekuestron rreth 14 mijë euro!

Nga SCAN TV
Mashtronin shtetasit nga disa kontinente që të investonin në

Policia e Shtetit njofton se si rezultat i hetimeve të ndjekura për rreth 6 muaj, me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë, në qendër dhe në qarqet Tiranë dhe Gjirokastër, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “World Clock”.

Sipas njoftimit si rezultat i operacionit, u vunë në pranga shtetasit: E. S., 32 vjeç, banues në Tiranë, E. P., 28 vjeç, banues në Tiranë, M. S., 29 vjeç, banues në Tiranë, E. H., 23 vjeç, banues në Fushë Krujë, A. H., 32 vjeçe, banuese në Tiranë, S. B., 35 vjeç, banues në Vlorë, F. H., 27 vjeçe, banuese në Tiranë dhe E. M., 26 vjeçe, banuese në Tiranë.

Policia bën me dije se nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center, të paregjistruara, në kryeqytet (me administrator shtetasin E. S. dhe me bashkëpronar shtetasin E. P.), mashtronin shtetas nga disa kontinente, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneronin nga kjo veprimtari kriminale, këta shtetas i pastronin nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve.

Nga kontrollet, në të dyja call centerat u gjetën 75 punonjës të paregjistruar, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 13 500 euro, një automjet luksoz, prodhim i viteve të fundit, 75 laptopë, 25 kompjuterë, 35 celularë, 2 servera, 2 DVR dhe disa blloqe shënimesh, me emrat e shtetasve të mashtruar,” shkruhet në njoftim.

Policia informon se po vijon hetimet intensive për të identifikuar dhe për të arrestuar shtetasit e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për të gjurmuar dhe për të sekuestruar asetet e përfituara në kundërshtim me ligjin.

 

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat