Shqipëria Postuar më 23 September 2026, 17:18

Korridoret evropiane, Karakaçi: Drejt mbylljes garat për hekurudhat Durrës-Rrogozhinë e Vorë-H. Hotit

Nga Scan TV

images.jpg

Pasi mori pjesë në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi bëri me dije ecurinë e 2 nyjeve strategjike të 2 korridoreve evropiane, që janë Korridori VIII dhe Korridori Adriatiko-Jonian. 

“Për sa i përket Korridorit VIII, tashmë është në përmbyllje gara për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë dhe brenda muajit nëntor pritet shpallja e fituesit. Ndërsa vazhdon puna me ritëm për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë. Edhe segmentet e para të bypass-it të Elbasanit tashmë janë kontraktuar dhe filluar nga puna. Për sa i përket Korridorit Adriatiko-Jonian, edhe këtu jemi në fazën përmbyllëse të garës për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Investim rreth 360 milionë euro që pritet të fillojë nga ndërtimi në fillim të vitit 2027. Për sa i përket autostradës Adriatiko-Joniane, po punohet për studimin inxhinierik të segmentit më sfidues, Murriqan-Balldren, që po përgatitet me fonde grant nga Bashkimi Europian dhe pritet të dorëzohet në janar të vitit 2027 në ministri”, - tha Karakaçi. 

Po ashtu, ai konfirmoi se po finalizohet kontrata për autostradën Milot-Balldren dhe projektin teknik përfundimtar. 

“Kam konstatuar së fundmi shumë paqartësi për këtë projekt. Për të pasur transparencë të plotë mbi këtë projekt shumë të rëndësishëm, të gjitha dokumentet e këtij projekti do të jenë të hapura në platformën e Besës, Flamingo Mirror, në mënyrë që kushdo që ka interes të bëjë verifikimet e veta”, - tha ministri.

Ndërkaq, pjesë e vizitës në Kinë ishin edhe takimet me stafin akademik të Institutit të Teknologjisë në Shangai, që shënon nisjen e një marrëdhënie bashkëpunimi studimore në fushën e ujësjellës-kanalizimeve me këtë qendër ekselence në botë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat