Me laps dhe letër Postuar më 24 Qershor 2022, 08:00

Makina, “hajduti” i shtëpisë/ Na kushton rreth €3400 në vit, ose sa 34% e pagës mesatare të një çifti

Nga SCAN TV

Rritja e çmimit të karburantit gjatë muajve të fundit, padiskutim që ka bërë shumë familje të marrin lapsin dhe letrën për të bërë llogaritë se sa ju kushton makina. “Scan Intel” ka bërë një analizë të tillë, po me laps e me letër, për të kuptuar realisht se sa na kushton mbajtja e një makine në vit, dhe më pas, peshuar mbi të ardhurat mesatare vjetore nga paga. Në këtë analizë do të përfshijmë koston e karburantit, siguracionit, taksave vjetore, kontrollit teknik, shërbimeve të ndryshme dhe amortizimit.

Padiskutim që pjesën më të madhe të kësaj kosto e përfaqëson karburanti. Në rast se do të llogarisnim një konsum mesatar vjetor të një autoveture në 20 mijë kilometra në vit, dhe një harxhim minimal prej 6 litrash për 100 kilometra, bazuar në çmimin e naftës në 258 lekë për liter (çmimi i dates 23 qershor), atëherë, rezulton se, vetëm për karburant, një automjet shpenzon mesatarisht rreth 309 mijë lekë në vit, ose rreth 2600 euro. Kjo shifër konsumi mesatar vjetor të karburantit përkon edhe me shifrat e konsumit mesatar të një autoveture, bazuar në të dhënat e markimit, importit dhe pagesës së taksës së qarkullimit, ku të gjitha sinjalizojnë mes 1100 dhe 1200 litrave konsum mesatar vjetor. Ashtu si në analizat e mëparshme të “Scan Intel”, kemi marrë pikërisht çmimin e naftës në analizë, duke qenë se rreth 75% e automjeteve që qarkullojnë në vend `punojnë` me naftë. Një zë tjetër që peshon në mbajtjen e një makine është siguracioni vjetor, pranë rreth 16.500 lekësh aktualisht, dhe kolaudimi, një herë në dy vjet, me një kosto prej rreth 1 mijë lekësh në vit. Bazuar në tipologjinë mesatare të një autoveture në Shqipëri, ku rreth 60% e automjeteve kanë një vit prodhimi para 2005-ës, dhe shumica `punojnë` me naftë, atëherë taksat vjetore përkthehen në përafërsisht 14 mijë lekë në vit. Këto janë të gjitha kosto të detyrueshme. Por, ndërkohë, na peshon edhe mirëmbajtja dhe amortizimi.

Shërbime si vaj/filtra kapin një vlerë prej rreth 12 mijë lekësh përafërsisht, çdo 10 mijë kilometra, ose rreth 24 mijë lekë në vit, në rast të një konsumi mesatar prej 20 mijë km gjatë vitit kalendarik. Një set gomash kushton përafërsisht, në vlerë minimale rreth 40 mijë lekë, dhe është një shërbim që duhet kryer çdo 3 vite pak a shumë, çka përkthehet në rreth 13 mijë lekë në vit. Nga ana tjetër, po marrim parasysh edhe koston e larjes së autoveturës, me një çmim prej 500 lekësh, të paktën 1 herë në muaj, çka rezulton në 6000 lekë. Në rast se të gjithë këtyre zërave do t`i shtonim edhe kosto të tjera shërbimesh ekstra, amortizimi, servisi, prej minimalisht 20 mijë lekësh në vit, atëherë fatura totale rezulton pranë 404,100 lekëve, ose 3390 euro. Përafërisht kaq është shuma mesatare që një autoveturë i kushton një shqiptari në vit, ose 283 euro në muaj.

Por sa është kjo kosto mbi të ardhurat e një individi? Paga mesatare neto në vendin tonë, në tremujprin e parë të këtij viti, fiksohej pranë 410 eurove, ose 4920 euro në vit. Kjo do të thotë se një shqiptari mesatar makina i kushton 68.9% të të ardhurave vjetore nga paga, çka e bën thuajse të pamundur përballimin e një makine i vetëm. Po në rast se këtë përllogaritje do ta bënim për familje, bazuar në tipologjinë tipike dhe mesatare të një familje shqiptare prej rreth 4 anëtarësh (3.6 anëtarë sipas Instat), me dy të rritur dhe dy fëmijë, ku vetëm dy të rriturit janë në marrëdhënie pune? Mbajtja e një makine do të përbënte 34.5% të të ardhurave vjetore.

Në rast se përllogaritjen do ta bënim me çmimin e një viti më parë për naftën, pranë rreth 170 lekësh për litër, atëherë, “fatura” totale e kostos vjetore të një makine do të ulej me rreth 890 euro, duke zbritur nga 3390 euro, në 2500 euro, që përkthehet në 50.8% të të ardhurave vjetore të një individi dhe në 25.4% të të ardhurave mujore nga paga e një familje tipike me dy të punësuar.

Në të dyja rastet, përdorimi i një makine në vendin tonë, duket të jetë luks. Përllogaritjet i referohen një mesatare të përafërt, sidomos sa i përket tipologjisë së autoveturave, ndërkohë që shumë shpenzime të tjera, veçanërisht ato të amortizimit, servisit, apo të konsumit të karburantit i referohen një vlere minimale.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat