Shqipëria Postuar më 5 Janar 2023, 13:46

“Lumë” kërkesash për ALBGAZ - ERE: Kompania të thithë investime, masa për uljen e kostove energjetike të biznesit dhe familjeve

Nga SCAN TV
“Lumë” kërkesash për ALBGAZ - ERE: Kompania të

Kompania publike e gazit ALBGAZ duhet të ndërmarrë një sërë politikash, në mënyrë që të arrijë në mënyrë graduale zhvillimin e tregut të gazit, që aktualisht është një proces që kërkon burime njerëzore të mëdha dhe të kushtueshme, së bashku me shtrirje kohore të zgjeruara”.

Konstatimi vjen nga Enti Rregullator i Energjisë, që i kërkon kompanisë ALBGAZ ndërhyrje konkrete, që paraqesin rëndësi për sektorin. Më konkretisht, kompania shtetërore e gazit sipas ERE-s duhet të krijojë kushte për përftimin e investimeve të huaja direkte në këtë segment të industrisë, si dhe për përmirësimin e furnizimit me energji në nivel industrial, shërbimesh dhe rezidencial.

Gjithashtu, kërkohen masa për krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm industrial dhe ulje kostosh energjetike në nivel prodhimi mallrash dhe shërbimesh, si dhe ulje në përgjithësi e faturës energjitike të konsumatorit familjar fundor.

Ndërhyrje kërkohen edhe në drejtim të burimeve njerëzore, ku sipas Enti Rregullator të Energjisë duhet të kirjohen kushte për rritjen e punësimit në sektor dhe në industritë që kanë impakt prej sektorit të gazit, si dhe për krijimin e kapaciteteve njerëzore në vend në drejtim të paraprojektimit, projektimit, menaxhimit të investimeve, duke rezultuar në zbatimin efektiv dhe eficent të aktiviteteve përkatëse në industrinë e gazit.

Këto kërkesa të ERE-s vijnë në një kohë ku Masterplani i Gazit, miratuar në nëntor të vitit 2016 është ende në letër, ndonëse aktualisht duhet të kishin përfnuduar një sërë projektesh.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat