Shqipëria Postuar më 5 Janar 2023, 12:09

Gjoba të reja e të “kripura” për bizneset - Në fuqi nga 1 Janari, sa do të jetë “dënimi” për  çdo shkelje

Nga SCAN TV
Gjoba të reja e të “kripura” për bizneset - Në

Nga 1 Janari dhe në vazhdim, bizneset që kryejnë shkelje, do të përballen me gjoba më të kripura nga administrata tatimore.  Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore kanë hyrë në fuqi, ku dhe përcaktohen masat e reja administrative për secilën shkelje.

Konkretisht,  për bizneset që kanë punonjës në të zezë apo nuk deklarojnë pagat reale, penaliteti që do të aplikohet është përveç detyrimit për pagimin e shumës së duhur të detyrimit tatimor dhe kontributet për këtë punonjës, të llogaritur për gjithë periudhën e provuar se është kryer shkelja, dënohet me gjobë në masën: a) 200% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike; b) 100% të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.

Po ashtu, me gjoba të rritura do të përballen edhe tatimpaguesit e mëdhenj që kapen me mall pa faturë, i cili mund të jetë mall kontrabandë, apo mall i blerë/prodhuar në të zezë dhe i padeklaruar.

Konkretisht,  tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetëpunësimi, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë prej 25 mijë lekësh;  tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi apo vetëpunësimi dhe për TVSH-në dënohen me gjobë prej 50 mijë lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar; tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin korporativ dënohen me gjobë prej 750 mijë lekësh, por jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar; personi, i cili ushtron veprimtari ekonomike tregtare i paregjistruar dënohet me gjobë prej 50 mijë lekësh.

Përcaktimi i vlerës së TVSH-së së munguar bëhet nga administrata tatimore në momentin e konstatimit të shkeljes duke vlerësuar mallin e gjetur pa faturë me çmimin e tregut. Një tjetër rritje penaliteti do të aplikohet mbi mospagimin në afat të kësteve të tatimit mbi fitimin korporativ dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi dhe vetpunësimi.

Gjoba për këtë shkelje do të jetë në masën 10 për qind të shumës së këstit për t’u paguar,  plus kamatëvonesën e llogaritur për ditët e vonuara, por jo më shumë së 365 ditë. Ndërkohë, tatimpaguesit që nuk arrijnë të mbajë regjistrat dhe dokumentacionin tatimor, të kërkuar sipas këtij ligji, detyron të paguajë një gjobë me 10 mijë lekë për çdo shkelje, në rastet kur është person fizik që ushtron veprimtari ekonomike tregtare apo si i vetëpunësuar dhe 50 mijë lekë kur është person juridik.

Elisabeta Dosku / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat