Shqipëria Postuar më 22 Shkurt 2024, 15:41

Ligji për zonat e mbrojtura miratohet mes protestash - Aktivistët mjedisorë: Nuk ndalemi! Reagon delegacioni i BE dhe Rama

Nga SCAN TV
Ligji për zonat e mbrojtura miratohet mes protestash - Aktivistët

Protestuesit: Mos e voto ligjin! Mos e voto ligjin! Zhgarravisni zyrën, jo natyrën! Zhgarravisni zyrën, jo natyrën!

Teksa aktivistët mjedisorë dhe qytetarët protestonin para parlamentit, deputetët e maxhorancës ngritën kartonat për të miratuar ndryshimet në ligjin “Për zonat e mbrojtura”.

Lindita Nikolla: 74 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, miratohet!

Që prej kohës kur 12 deputetë propozuan ndryshimet e deri te qëndrimi i qeverisë, organizatat e shoqërisë civile kanë argumentuar se ligji i ri i hap rrugën ndërtimeve brenda çdo parku kombëtar, peizazhi apo monumenti natyror, duke shkatërruar këto territore. Ndërkaq, pas miratmit të ligjit ata thanë se rezistenca do të vazhdojë, duke moj lejuar ndërtimet brenda pasurive kombëtare.

Qeveria posoriti ligjin. Ne nuk do ta harrojmë që lojtarët e vërtetë të kësaj loje të pistë janë qeveria. Është pikërisht ky kryeministër, që sot duke qenë edhe kryetar i KKT-së bëhet pronar i zonave të mbrojtura. Nuk kemi për t’i lënë në asnjë vend, që të ndërtojnë sepse ajo është pasuria jonë, nuk është pasuria e tyre. Do të na kenë këtu, në çdo betejë, në çdo llogore, qofshin këto juridike, por edhe protestash”, - tha Taulant Bino, president i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë.

“Është shkatërruar trashëgimia jonë kulturore në shumë qytete dhe ne jemi dëshmitarë, edhe këtu në Tiranë. E njëta gjë do të bëhet edhe me trashëgiminë natyrore. Atyre duhet t’iu vijë turp që kanë ngritur kartonat jeshilë kaq shpejt sepse e kanë me ngut për të shkatërruar zonat e mbrojtura. Ne e dimë që pas kartonave jeshilë, bullodzerë do të shkojnë në zonat e mbrojtura, por ne do jemi edhe aty dhe do të rezitojmë”, - tha Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania.

“Deputetët pa integritet, pa identitet e kanë votuar sot ligjin, pavarësisht se këtu jemi ne që protestojmë. Qeveria i ka dalë kundër Bashkimit Evropian për të ndaluar këtë ligj. Është një shpërfillje totale ndaj marrëveshjeve ndërkomëbatre, ndaj të ardhmes tonë evropiane”, - tha Joni Vorpsi nga PPNEA. 

Pas seancës plenare, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro mbrojti ligjin e miratuar.

“Nuk do të preket sipërfaqja e territoreve të zonave të mbrojtura në versionin final dhe unë dua të falenderoj deputetët që i morën në konsideratë edhe sugjerimet, dhe opinionin e qeverisë që nuk do të ketë ndarje të territoreve të zonave të mbrojtura me bashkitë”, - tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Pas miratimit reagoi edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, që në një postim në rrjetet sociale nënvizoi se në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent. “Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, - thuhej ndër të tjera në reagim. Përgjigjen e dha kryeministri Edi Rama, sipas të cilit në 10 vitet e fundit është bërë një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. Sipas Ramës, ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qendrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë.

Ola Mitre / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat