Shqipëria Postuar më 7 November 2026, 10:34

Lidhja universitet-biznes/ 50 projekte në vit për kërkim shkencor dhe inovacion

Nga Fabjona Pasho

Lidhja universitet-biznes/ 50 projekte në vit për kërkim

Pesëdhjetë projekte të përbashkëta ndërmjet universiteteve dhe sektorit privat synohet të financohen çdo vit gjatë periudhës 2027–2029. Objektivi është përcaktuar në relacionin e projektbuxhetit të vitit 2027 dhe synon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë dhe bizneseve, për ta orientuar kërkimin shkencor drejt nevojave të ekonomisë. Kjo politikë vjen në një kohë kur Shqipëria vijon të ketë nivele të ulëta investimesh në kërkim dhe zhvillim. Sipas raportit të Komisionit Europian për vitin 2025, shpenzimet për këtë sektor arritën në vetëm 0,19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2024, shumë larg objektivit kombëtar prej 1% të PBB-së deri në vitin 2030.

Edhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, evidenton se bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe sipërmarrjeve mbetet i kufizuar, ndërsa mungesa e mekanizmave të qëndrueshëm për transferimin e njohurive dhe teknologjisë pengon zhvillimin e inovacionit në biznes.

Përveç projekteve të përbashkëta, projektbuxheti parashikon mbështetje për 112 kërkues shkencorë në vit, përmes granteve të financuara për projektet kërkimore në universitetet publike.

Një tjetër drejtim është zgjerimi i pjesëmarrjes në programin europian Horizon Europe, ku synohet mbështetja e 20 projekteve në vitin 2027, po aq në vitin 2028 dhe 23 projekteve në vitin 2029.

Përtej financimit, sfida mbetet shndërrimi i kërkimit shkencor në zgjidhje konkrete për sipërmarrjet, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, si dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat