Shqipëria Postuar më 7 November 2026, 10:28

Investitorët drejt tregut shqiptar/ TIF 32 mbyll dyert, katër ditë takimesh dhe mundësish të reja për ekonominë

Nga Ledina Elezi

Investitorët drejt tregut shqiptar/ TIF 32 mbyll dyert, katër

Katër ditë ekspozita, takime biznesi, prezantime teknologjike dhe diskutime mbi të ardhmen e ekonomisë. Edicioni i 32-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës mbyll dyert, duke lënë pas një tjetër aktivitet që solli në një hapësirë të vetme sipërmarrje shqiptare dhe të huaja, investitorë, institucione dhe ekspertë të sektorëve të ndryshëm.

Me mbi 300 kompani ekspozuese, prej të cilave më shumë se 65% të huaja, dhe pjesëmarrje nga mbi 12 vende, panairi u shndërrua në një platformë për prezantimin e produkteve, teknologjive dhe mundësive të reja të bashkëpunimit. Në një sipërfaqe prej më shumë se 8 mijë metrash katrorë, ekspozitat u organizuan në disa sektorë të specializuar, duke reflektuar potencialet dhe sfidat e ekonomisë shqiptare.

Energjia, infrastruktura dhe ndërtimi ishin ndër sektorët me prezencën më të madhe, ku dhjetëra kompani prezantuan teknologji dhe zgjidhje për zhvillimin e këtyre industrive. Në fokus ishte edhe transformimi i sektorit energjetik, veçanërisht zgjerimi i burimeve të rinovueshme dhe investimet në infrastrukturën e transmetimit dhe shpërndarjes.

Një prej zhvillimeve që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në vend është prodhimi i energjisë për nevoja vetjake. Sipas të dhënave të prezantuara gjatë diskutimeve, numri i konsumatorëve vetëprodhues ka arritur në mbi 4,600, me një kapacitet të instaluar prej rreth 320 megavatësh. Rritja e këtyre investimeve sjell përfitime për konsumatorët, por njëkohësisht kërkon përshtatjen e rrjetit elektrik, përmes investimeve, monitorimit dhe administrimit më të mirë të flukseve të energjisë.

Një tjetër sektor që po ndryshon me ritme të shpejta është teknologjia. Inteligjenca artificiale ishte në qendër të diskutimeve mbi mënyrën se si bizneset mund të rrisin produktivitetin dhe të përmirësojnë shërbimet. Automatizimi i komunikimit me klientët, përpunimi i dokumenteve, administrimi i të dhënave dhe krijimi i materialeve të marketingut u evidentuan si disa prej proceseve ku kjo teknologji mund të sjellë përfitime të menjëhershme.

Megjithatë, përtej mundësive, u ngritën edhe shqetësime për ndikimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës. Automatizimi i detyrave bazë mund të vështirësojë hyrjen e të rinjve në tregun profesional, duke krijuar nevojën për aftësi të reja dhe përshtatjen e formimit universitar me kërkesat e ekonomisë. Mesazhi i diskutimeve ishte se teknologjia mund të marrë përsipër proceset rutinë, por kreativiteti, gjykimi profesional dhe ndërhyrja njerëzore mbeten thelbësore.

Edhe turizmi, një prej sektorëve me potencialin më të madh për ekonominë shqiptare, zuri një vend të rëndësishëm në programin e panairit. Në fokus ishte nevoja për të kaluar nga rritja e numrit të turistëve drejt një modeli që gjeneron më shumë vlerë ekonomike dhe e shtrin aktivitetin përtej sezonit veror.

Shqipëria e ka fituar tashmë vëmendjen e tregjeve ndërkombëtare, por sfida mbetet përmirësimi i infrastrukturës, formalizimi i tregut, tërheqja e investimeve afatgjata dhe rritja e cilësisë së shërbimeve. Autenticiteti, gastronomia, trashëgimia kulturore dhe përvojat lokale u evidentuan si avantazhe që mund ta diferencojnë vendin në konkurrencën turistike ndërkombëtare. Po aq e rëndësishme është përfshirja e prodhuesve dhe bizneseve vendase në zinxhirin e vlerës së turizmit.

Vëmendje të veçantë mori edhe bujqësia dhe industria ushqimore. Dhjetëra kompani prezantuan produkte dhe zgjidhje për këtë sektor, ndërsa diskutimet u përqendruan te rritja e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas, standardizimi, certifikimi dhe gjurmueshmëria. Përmirësimi i këtyre elementeve konsiderohet thelbësor për zgjerimin e eksporteve dhe përmbushjen e kërkesave të tregjeve europiane.

Panairi shërbeu gjithashtu si një hapësirë për diskutimin e problematikave që përball biznesi shqiptar. Në tryezat e dedikuara për konkurrueshmërinë e ekonomisë, përfaqësues të sipërmarrjes dhe ekspertë ngritën shqetësime për kostot e biznesit, presionet mbi eksportuesit dhe nevojën për një mjedis fiskal më të parashikueshëm. Në qendër të kërkesave ishte një dialog më i strukturuar mes institucioneve dhe sipërmarrjes, si dhe më shumë transparencë në hartimin e politikave fiskale.

Ndërsa diskutimet mbi investimet e huaja evidentuan nevojën për të orientuar më shumë kapital drejt industrisë prodhuese dhe sektorëve që krijojnë vlerë të shtuar. Përtej avantazheve gjeografike dhe stimujve ekonomikë, tërheqja e investitorëve afatgjatë kërkon institucione funksionale, stabilitet dhe siguri juridike.

Një nga dimensionet kryesore të këtij edicioni ishte edhe ndërkombëtarizimi. Prezenca e kompanive të huaja, ekspozitat e specializuara dhe programet e takimeve B2B dhe B2G krijuan mundësi për lidhjen e sipërmarrjeve me partnerë, blerës, distributorë dhe investitorë potencialë. Në këtë mënyrë, panairi synoi që ekspozimi i produkteve të mos mbetej vetëm në prezantimin e tyre, por të shërbente si pikënisje për marrëdhënie të reja tregtare.

Përmes përfshirjes së universiteteve, të rinjve dhe sipërmarrjeve inovative, aktiviteti solli gjithashtu në vëmendje rëndësinë e aftësive profesionale dhe të përshtatjes së tregut të punës me zhvillimet e reja ekonomike dhe teknologjike.

Pas më shumë se tri dekadash, Panairi Ndërkombëtar i Tiranës vijon të mbetet një platformë e rëndësishme për promovimin e sipërmarrjes dhe lidhjen e tregut shqiptar me atë ndërkombëtar.

Me mbylljen e edicionit të 32-të, përfundon ekspozimi disaditor, por jo domosdoshmërisht puna e nisur gjatë tij. Sfida tashmë është që kontaktet e krijuara të kthehen në partneritete, diskutimet në projekte konkrete dhe mundësitë e prezantuara në investime të reja për ekonominë shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat