Shqipëria Postuar më 28 Tetor 2023, 10:32

Leku i fortë, Qeverisë i “buzëqesh fati” me interesat e borxhit - Në tre vite, kostot e shërbimit të huasë publike janë ulur me rreth 300 milionë euro

Nga SCAN TV
Leku i fortë, Qeverisë i “buzëqesh fati” me interesat

Ndërsa borxhi publik është rritur këtë vit me rreth 1 miliardë euro, Qeverisë po i buzëqesh fati me kostot e interesave dhe shërbimit të tij, veccanërisht sa i përkët huase së jashtme. Nga 78 miliardë lekë në vitin 2022, Qeveria ka paguar për nëntëmujorin e këtij viti 63.2 miliardë lekë për shërbimin e borxhit.

I shprehur në raport me produktin e Brendshëm Bruto, shërbimi i borxhit zë këtë vit 2.9% të PBB-së, nga 3.6% i PBB-së në vitin parardhës. Për të kuptuar sa ka përfituar Qeveria nga situata e favorëshme financiare mjafton të kujtojmë që në vitin 2020, shërbimi i borxhit i kushtonte Qeverisë 96 miliardë lekë. 33 miliardë lekë, apo thuasje 300 milionë euro më pak nga sa i kushton aktualisht.

Situata favorizuese me shërbimin e borxhit vjen në një vit kur huaja qeveritare është rritur me plot 1 miliardë euro në vetëm nëntë muaj. Pas një rënie të lehtë në vitin 2022, borxhi publik i Shqipërisë ka shënuar rritje drastike gjatë nëntëmujorit të këtij viti në vlerën 1.39 trilionë lekë, ose më shumë se 13 miliardë euro. Për herë të parë borxhi publik në 2023 ka kaluar nivelin e 13 miliardë eurove, duke u shtuar me plot 1 miliardë euro në harkun kohor të nëntë muajve.

Krahasuar me vitin 2020, kur totali i huasë qeveritare ishte dicka më pak se 9.9 miliardë euro, borxhi publik është shtuar me plotë 3 miliardë euro. Rritja drastike vjen pavarësisht se Qeveria ka pasur një situatë shumë favorizuese sa i përket shërbimit të borxhit, për shkak të mbiccmimit të fortë të lekut në raport me euron.

Sa i përket strukturës së tij, bie në sy se pjesa më e madhe e borxhit të ri është marrë në tregun e brendshëm. Nga 5.2 miliardë euro në vitin 2020, borxhi i brendshëm rezulton në mbi 7 miliardë për nëntëmujorin e vitit 2023.

Rritje më graduale ka shënuar borxhi i jashtëm, i cili ka mbetur në nivelin 5.6 miliardë euro në vitet 2021-2022 për të kërcyer në vitin 2023 në mbi 6 miliardë euro për nëntëmujorin e këtij viti. Një pjesë e mirë e kësaj rritjeje i detyrohet eurobondit të emetuar në qershor të këtij viti në vlerën e 600 milionë eurove.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat