“Ulje e mëtjeshme çmimi për energjinë elektrike” - Balluku: Skema aktuale nxit kursimin e energjisë. Liberalizimi i tregut vazhdon në janar
Politikat në sektorin elektroenergjetik do të kenë në fokus uljen e çmimit të energjisë për klientët. Deklarata u bë nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë prezantimit të raportit të OECD për sektorin energjetik.
“Do të vazhdojë në këtë rrugë që ka nisur për të bërë më të mirën për të krijuar qëndrueshmëri energjetike, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin. Por pa lënë për asnjë moment pas dore fokusin që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë shqiptare për të dhënë çmime sa më të ulta dhe për të incentivuar programe dhe edukim sa i përket eficiencës së energjisë”, - tha Balluku.
Balluku foli edhe për skemën e çmimit të energjisë që aplikohet aktualisht për klientët familjarë, duke theksuar se qëllimi është nxitja e kursimit të energjisë.
“Është një ulje e cila është bazuar mbi kursimin, duke qenë se ne e kemi vendosur që kjo ulje mund të aplikohet vetëm për ata abonentë të cilët konsumojnë deri në 700 kËh/muaj, duke nxitur kështu qytetarin, abonentin familjar që të fillojë të kursejë sepse sa më shumë kursen aq më shumë ai përfiton”, - tha Balluku.
Gjatë fjalës së saj ministrja konfirmoi se liberalizimi i tregut të energjisë do të vijojë me klientët e lidhur në tensionin 6 KV, që do të shkëputen nga furnizimi i OSHEE-së nga janari i vitit që vjen.
Fjala e Ministres Balluku:
E nderuar zonja Arnadottir,
Të nderuar pjesëmarrës,
Së pari dua t'ju falënderoj, për këtë takim të veçantë dhe dua t'i jap mirëseardhjen përfaqësuesve të OECD-së dhe padyshim është shumë e rëndësishme që të diskutojmë një nga temat më aktuale, që ka të bëjë me energjinë. Në kohët mjaft dinamike të gjeopolitikës, energjia ka treguar prej disa vitesh tashmë, që është ‘thembra e akilit’ për të gjitha shtetet dhe jo vetëm shtetet, por dhe rajonet madje. Nga ana tjetër, energjia ka disa këndvështrime për t'iu përqasur asaj, nga prodhimi, tek siguria energjetike, tek efiçienca energjetike, por mbi të gjitha ç’ka është e rëndësishme, energjia është dhe do të mbetet një produkt jetësor. Është një produkt jetësor, për të cilën shtetet kanë përgjegjësinë e tyre për ta ofruar dhe sigurisht çka është më e rëndësishme për ta ofruar me cilësinë sa më të lartë pra, shërbimi duhet të jetë cilësor, por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që çmimet luajnë një rol shumë të rëndësishëm në tregun energjetik, përsa i përket mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimit të ekonomisë
E parë në këtë kënd, sigurisht ky takim, ky workshop i sotëm, unë besoj që do të nxjerrë konkluzione të rëndësishme, do të vërë në dukje punën që është bërë në vendin tonë, duke e krahasuar edhe me rajonin, përsa i përket sektorit energjetik në përgjithësi, çmimeve që janë aplikuar apo mbështetjes, pra çmimeve të rregulluara të vendosura nga qeveria dhe mbi të gjitha përfitimeve që ka pasur ekonomia shqiptare dhe veçanërisht qytetarët shqiptarë. Në raportin ‘Çmimet dhe subvencionet e energjisë në Ballkanin Perëndimor’, përpiluar nga Qendra e Zhvillimit e OECD-së synon të identifikojë qasjen efektive për tranzicionin e gjelbër dhe kalimin drejt ekonomive të qëndrueshme dhe me emetime të ulëta të karbonit, duke u fokusuar dhe në aspektin social, përveçse atij ekonomik.
Pozicioni i Shqipërisë karshi tranzicionit të gjelbër në sektorin e energjisë sigurisht është unik në krahasim me vendet e tjera të rajonit apo edhe me vendet e tjera të Evropës, duke qenë se ne e përsërisim me krenari, Shqipëria prodhon 100% energji të rinovueshme dhe tashmë jo vetëm nga hidrocentralet, ashtu siç ka qenë deri në vitin 2019, por në pesëvjeçarjen e fundit Shqipëria ka ngritur kapacitete të rëndësishme nga burime alternative të rinovueshme dhe këtu i referohemi parqeve fotovoltaike, të cilat sot e kanë çuar dhe e kanë rritur prodhimin vendas me 500 megavatorë, por nga ana tjetër në pipeline-in e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë janë akoma edhe shumë projekte të tjera, të cilat nuk janë vetëm bazuar mbi parqet fotovoltaike, por edhe mbi ato eolike, duke e çuar të gjithë sasinë që do të prodhohet në vitet në vazhdim rreth 1.3 gigavatorë.
Dua të them se është shumë e rëndësishme ajo çka ka identifikuar ky raport dhe do ndalem në çështjen thelbësore, që është edhe bërthama dhe synimi i këtij raporti që ka të bëjë me mbështetjen që Qeveria Shqiptare i ka dhënë sektorit energjetik. Raporti konfirmon se Shqipëria ka qenë ndër vendet që ka ofruar mbështetjen më të lartë direkte fiskale për sektorin energjetik. Kjo mbështetje nuk ka qenë thjesht një numër në një tabelë, ajo ka qenë një mburojë reale për çdo familje shqiptare. Ne kemi zgjedhur të mos e lëmë qytetarin dhe biznesin vetëm përballë ekspozimit dhe sfidave të tregjeve ndërkombëtare, sidomos duke nisur nga viti 2022. Gjatë krizës energjetike botërore e cila erdhi për shkak të agresionit rus në Ukrainë në fillim të vitit 2022 tregjet ndërkombëtare të energjisë sigurisht u përballën me çmime të pa hasura më parë dhe të gjitha qeveritë në atë kohë kanë qenë të papërgatitura, jo vetëm për mungesën e sasive të kërkuara nga tregjet lokale të energjisë, por edhe për çmimet. Për këtë arsye, në vitin 2022 unë dua t'ju jap vetëm disa shifra për të kuptuar sesi ka qenë në të vërtetë situata. KESH përfitoi nga Qeveria Shqiptare një injektim kapital prej 168 milionë euro, për të garantuar që tarifa për energjinë elektrike për qytetarët, për abonentët familjarë pra të mos ndryshonte. Pavarësisht një rritje ekspansionale që kishim në treg dhe unë kam një datë, të cilën e përsëris gjithmonë dhe është 31 gushti i 2022, kur çmimi për megavatorë kaloi 1000 euro, në qoftë se nuk gabohem, ka qenë 1034 euro, krahasimisht me 90 euro, që ishte çmimi normal i viteve historik gjatë periudhës së verës. Sipas vlerësimit në raport, për të mbyllur hendekun midis çmimeve të brendshme në Shqipëri dhe atyre në tregun ndërkombëtar tarifat e rregulluara për familjarët do të duhet të rriteshin me 29% në rastin e një skenari konservator ose me 114% në rastin e një skenari maksimal. Pra, imagjinoni, në rast se Qeveria Shqiptare nuk do të ndërhynte për të mitiguar ndryshimin, pra këtë gep të krijuar midis çmimeve të tregut të energjisë dhe çmimeve të faturës së abonentit, abonenti duhet të paguante minimalisht 29% më shumë në faturën e tij ose maksimalisht 114%, diçka e papranueshme sigurisht për politikën e qeverisë shqiptare.
Ne jo vetëm që nuk e kemi rritur çmimin, por kemi vijuar me mbështetjen, duke kulmuar me uljen e çmimit të energjisë elektrike gjatë këtij viti, pra duke nisur nga shkurti i vitit 2025, një ulje kjo që korrespondon në 10.5% dhe kjo ulje është aplikuar vetëm për abonentët familjarë, të cilët faktikisht mbajnë edhe pjesën e luanit përsa i përket distribucionit këtu në Republikën e Shqipërisë, pasi flasim për 1 milion e 70 mijë abonentë. Kjo ulje me 10.5% është një ulje historike që nuk është bërë në 30 vite. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që edhe kjo ulje është bërë e të njëjtës linjë me praktikat apo me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe agjendës së gjelbër, pasi kjo ulje nuk është një ulje e vendosur pa asnjë lloj kushti, është një ulje e cila është bazuar mbi kursimin, duke qenë se ne e kemi vendosur që kjo ulje mund të aplikohet vetëm për ata abonentë të cilët konsumojnë deri në 700 kilovatorë mujorë, duke nxitur kështu qytetarin, abonentin familjar që të fillojë të kursejë, sepse sa më shumë kursen, aq më shumë ai përfiton dhe nga ana tjetër duke edukuar një grup të madh përfituesish, që siç u thashë janë mbi 1 milion abonentë.
Nga ana tjetër, sigurisht për të adresuar efiçencën e energjisë nuk është vetëm ky një hap që Qeveria Shqiptare, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur, pasi ne kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe, jo vetëm me aksionet konkrete që përmenda, por edhe me kuadrin rregullator si një nga hapat më të rëndësishëm për të krijuar një stabilitet, pra një qëndrueshmëri afatgjatë në sektorin energjetik. Ndaj kemi bërë të gjitha ndryshimet dhe parashikimet e duhura në dy ligjet thelbësore, ligji për efiçencën e energjisë dhe ligji për performancën energjetike në ndërtesa, me të cilat synojmë të forcojmë politikat përsa i përket kursimit energjetik, synojmë të forcojmë edukimin dhe nxitjen e abonentëve drejt eficiencës së energjisë, por sigurisht kemi përdorur edhe mbështetje dhe incentiva të ndryshme, siç është rasti i ndërhyrjes në shumë ndërtesa, të cilat kemi nisur nga shkollat, nga spitalet, nga ndërtesat, ku qeveria kryen punën e saj administrative për të kaluar më pas edhe tek fasadat e pallateve të qyteteve të ndryshme në mbarë vendin, duke kthyer kështu vetë qytetarët në dëshmitarë të këtij procesi, i cili ndikon në faturën e secilit prej tyre. Do të merrja këtu rastin e një prej qendër qarqeve, pra rastin e Peshkopisë, që është qendra e qarkut të Dibrës, qark në verilindje të Shqipërisë, me temperatura shumë të ulëta gjatë vitit, aty ne kemi pilotuar një projekt i cili ka të bëjë me të gjitha ndërtesat e para viteve ’90, që kanë pasur një problematikë shumë të madhe në izolim dhe sot ato përmes programit për efiçencën e energjisë dhe kapotimit të tyre kanë arritur që të gjithë abonentët familjarë të gëzojnë fatura më të ulëta të energjisë elektrike, rreth 30%, duke e kthyer të gjithë këtë proces dhe të gjithë këtë program në të prekshëm dhe konkret për abonentët tanë.
Nga ana tjetër, Qeveria Shqiptare përmes Agjencisë së Eficiencës së Energjisë ka ndërmarrë një tjetër incentiv shumë të rëndësishme, duke subvencionuar mbi 70% të blerjes dhe të instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për më shumë se 2 mijë njësi gjatë vitit 2023 dhe 2024 dhe 2 mijë njësi të tjera për vitin 2024 dhe 2025, duke e çuar kështu numrin në 4 mijë familje, pra 4 mijë abonentë, të cilët përfitojnë gjithashtu në faturat e tyre një ulje të ndjeshme rreth 20-30 përqind për shkak të instalimit të këtyre paneleve të mbështetura nga Qeveria Shqiptare.
Nga ana tjetër, duhet thënë që mbajtja e çmimit të energjisë të rregulluar dhe të pa ndikuar nga tregjet ndërkombëtare sigurisht sipas raportit përbën në vetvete një subvencion, ku kosto shtesë është përballuar nga Buxheti i Shtetit dhe buxheti i ndërmarrjeve të cilat janë 100% pronësi e shtetit shqiptar. Padyshim kjo sipas raportit përbën që paketa mund të sjellë shtrembërime në treg. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë unë do të thoja që jo vetëm që nuk ka sjellë asnjë shtrembërim në treg, por ne këtë e shikojmë si një nga politikat dhe nga arritjet më të mëdha të qeverisë Rama. Ne nuk kemi penguar tregun, por kemi mbrojtur qytetarin dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, sepse për ne mbrojtja e konsumatorëve është primare dhe sigurisht Shqipëria është një vend me një ekonomi të re, ekonomi të brishtë, që kërkon mbështetjen e qeverisë në çdo hap për ta forcuar atë dhe për t'i dhënë qëndrueshmërinë e duhur.
Familjet me të ardhura më të ulëta shpenzojnë një përqindje më të madhe të të ardhurave të tyre për faturat e energjisë. Nga të gjitha analizat tregohet se konkretisht një familje me të ardhura të ulëta shpenzon 16% të të ardhurave në faturën e energjisë, krahasuar me një familje tjetër me të ardhura të mesme apo të larta, që shpenzon vetëm 5% të të ardhurave të tyre për faturën e energjisë. Nga kjo analizë, padyshim në terma relativë nga subvencioni i çmimit të energjisë përfitojnë më shumë familjet me të ardhura të ulëta, sesa abonentët me të ardhurat mesatare apo të larta. Sa i takon konsumatorëve vulnerabël, Qeveria Shqiptare implementon politika të posaçme për këtë. Gjithashtu, këtu përfshihen të gjitha familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët me pension të ulët, persona me aftësi të kufizuar, kategori të tjera të mbrojtura nga shteti sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe këta përbëjnë jo më pak se 10% të konsumatorëve që ne kemi të lidhur në FSHU.
Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria ka akorduar rreth 115 milionë euro për këtë shtresë gjatë periudhës 2018-2023, duke shënuar nivelin më të lartë të mbështetjes për shtesat në nevojë për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Nga ana tjetër, përsa i përket konsumatorëve privatë, dua t'ju sjell në vëmendje se vijon procesi i derregullimit jo vetëm për këtë kategori abonentësh, por sigurisht ne këtë proces e kemi shtrirë në kohë, ashtu siç thashë, duke qenë të kujdesshëm për të mbështetur ekonominë shqiptare, për të mos krijuar problematika të cilat do të ktheheshin në probleme permanente dhe të pazgjidhshme më pas, por kemi marrë angazhimet tona dhe kanë kaluar me grupe në tregun e lirë dhe tashmë vitin e ardhshëm, edhe ata që janë të lidhur në tensionin 6 kilovatorë do të jenë kategoria e fundit që do të kalojnë në tregun e lirë.
Sa i takon kapaciteteve për rritjen e burimeve të prodhimit, atë e thashë edhe në hapje të fjalës time, besoj që Shqipëria padyshim mban një nga vendet e para, sidomos në rajonin tonë, përsa i përket këtyre kapaciteteve dhe nga ana tjetër, për ne është gjithmonë krenari që edhe kapacitetet e reja që ne kemi ngritur, vazhdojnë të jenë kapacitete të energjisë së rinovueshme, por që nga ana tjetër përmbushin aspiratën tonë për t'u kthyer një vend eksportues neto deri në vitin 20230. Për arritjen e këtij objektivi sigurisht që përpos projekteve të gjenerimit një vend të rëndësishëm zënë dhe investimet në rrjetet transmetuese, duke pasur parasysh se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të transmetimit për të gjithë rajonin, por jo vetëm për rajonin, edhe të ndërlidhjes me pjesën tjetër të Evropës dhe ky është dhe synimi ynë kryesor, që të rrisim kapacitetet transmetuese deri në 3 mijë megavatorë dhe mbi të gjitha ne planifikojmë dhe shpresojmë që të kemi mundësinë për realizimin e projektit më të madh të transmetimit, atë që lidh Shqipërinë direkt me Italinë
Së fundmi, do të ndaloja dhe tek rekomandimi i raportit për përmirësimin e qeverisjes dhe transparencës në ndërmarrjet shtetërore energjetike. Ne kemi pasur para pak ditësh një takim me të tre ndërmarrjet, të cilët janë aktorët kryesorë kontribuues në sektorin energjetik shqiptar. Atëherë OSHEE, që është Operatori i Shpërndarjes, OST-ja Operatori i Transmetimit dhe padyshim KESH, që është Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe mban peshën e prodhimit në Republikën e Shqipërisë. Kemi identifikuar të gjithë progresin që këto ndërmarrje kanë bërë. Dikur ndërmarrje që mbartnin problematika të mëdha qoftë në marrëdhëniet që kishin me buxhetin e shtetit, pra të gjitha debitet, borxhet, kreditë e papaguara, qoftë në kapacitetet e munguara në mbledhjen e të ardhurave. Sot jemi totalisht në një situatë tjetër, pesëvjeçari i fundit ka shërbyer jo vetëm për të rritur kapacitetet gjeneruese, ka shërbyer jo vetëm për të krijuar një kuadër rregullator shumë të përafruar dhe të sjellë në parametrat dhe kërkesat e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, ne gjatë kësaj periudhe kemi punuar për shëndoshjen financiare të kompanive shtetërore të sektorit energjetik, kemi punuar për të rritur cilësinë e shërbimit të ofruar dhe mbi të gjitha për të krijuar burime njerëzore, të cilat do t'i shërbejnë këtij sektori në dekadat e ardhshme. Është rasti për t'u përmendur që gjatë vitit të kaluar OSHEE Group ka mbyllur vitin me një bilanc pozitiv, me një fitim prej 7.3 miliardë eurosh, në bashkëpunim të plotë me dy kompanitë e tjera dhe në bashkërendim të plotë me ta, duke sjellë kështu edhe mundësinë tonë për të ulur çmimin e energjisë elektrike për abonentët familjarë, bazuar mbi programet e efiçencës së energjisë, me 10.5% sikur më parë në tridhjetë vite.
Unë nuk do të doja të zgjatesha më për energjinë mund të flas pafund, për të gjitha arritjet, për çka kemi bërë, për planet e së ardhmes. Sa më shumë takohemi, aq më shumë kemi për të thënë për njëri-tjetrin. Dua të falënderoj partnerët tanë për të gjithë suportin që i kanë dhënë sektorit energjetik shqiptar, suport i vyer, shkëmbimi i eksperiencave, auditimi që vjen prej tyre dhe sigurisht dua t'ju garantoj që Shqipëria, duke e njohur shumë mirë rëndësinë strategjike që energjia ka, duke kuptuar shumë mirë rëndësinë strategjike dhe gjeopolitike që rajoni ynë ka, do të vazhdojë në këtë rrugë që ka nisur për të bërë më të mirën, për të krijuar qëndrueshmëri energjetike, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin. Por, pa lënë për asnjë moment pas dore fokusin që kemi ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ekonomisë shqiptare, për të dhënë çmime sa më të ulëta dhe për të incentivuar programe dhe edukim përsa i përket efiçencës së energjisë.
Shumë faleminderit për vëmendjen. Shpresoj sot të keni një ditë sa më të frytshme me shumë diskutime dhe shkëmbime idesh.
Faleminderit!

Dokumenti i Kadastrës/ Si do bëhet regjistrimi i tokave me 7501?!
Bashkë me regjistrimin fillestar, Agjencia e Kadastrës synon që deri në 2028-n të përfundojë skanimin dhe digjitalizimit të kartelave të pasurisë dhe hartave......

Plan-operacioni “Plazhi i lirë” – Policia kontrolle në vijën bregdetare të Kavajës!
Në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, Policia e Kavajës ka vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave......

'Reforma dha atë që pritej nga Shqipëria' - Gonzato: SPAK institucion themelor, të ndalet presioni ndaj Drejtësisë!
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se, “reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria, sa i përket pavarësisë,......

Hapet zyrtarisht Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë! - Hasani: Një mjet i drejtpërdrejtë për të qenë më pranë qytetarëve tanë!
Sot u përurua zyrtarisht Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë, një strukturë e re konsullore që synon t’i shërbejë më mirë qytetarëve shqiptarë......

Situata e zjarreve në vend/ AKMC: 25 vatra zjarri të raportuara, 4 ende aktive!
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot mbi situatën e zjarreve në rang vendi dhe më konkretisht gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra......

Pasuritë e paluajtshme “magnet” për investitorët e huaj - 3 mujori shënon rekord/ 362 milionë euro IHD, kryeson Turqia
Shqipëria vijon të konfirmohet si një destinacion me potencial të lartë për investime. Fluksi i investimeve të huaja direkte në Shqipëria ka shënuar rekord......

Shqiptarët, më pak kërkesa për azil në BE - Ministria e Brendshme: Nga janari në maj 3261 shtetas të kthyer
Gjithnjë e më shumë po bie numri i shqiptarëve që refuzohen në kufijtë e vendeve të Bashkimit Europian. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, gjatë......

Ndryshimet e pagave në Evropë - Cilat profesione kanë shënuar rritjet më të mëdha?
Pagat reale në disa nga ekonomitë kryesore të Evropës kanë shënuar rritje të qëndrueshme gjatë vitit 2025. Megjithatë, kjo rritje ka qenë e ndryshme sipas......