Shqipëria Postuar më 8 Korrik 2025, 12:54

Pasuritë e paluajtshme “magnet” për investitorët e  huaj - 3 mujori shënon rekord/ 362 milionë euro IHD, kryeson Turqia

Nga Elisabeta Dosku

Pasuritë e paluajtshme “magnet” për investitorët

Shqipëria vijon të konfirmohet si një destinacion me potencial të lartë për investime. Fluksi i investimeve të huaja direkte në Shqipëria ka shënuar rekord të ri në 3 mujorin e parë të 2025.

Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve, (AIDA) tregojnë se në periudhën Janar-Mars vlera e investimeve regjistrohet në 362 milionë euro, niveli më i lartë i arritur ndonjëherë për këtë periudhë.

Përgjatë kësaj periudhe kryesojnë investitorët nga Turqia, me 13.8%, ndjekur nga Holanda me 13.5%, Italia me 12.7%, Austria me 8.6% dhe Gjermania e cila zë 7.7 p% të fluksit total.

Sa i takon sektorëve me më shumë investime, tregojnë se pasuritë e paluajtshme vijojnë të jenë magnet për investitorët dhe zënë rreth 28.7%. sektori i financës dhe sigurimeve zë 20.7 %, industria nxjerrëse ka një peshë prej 14.1% të investimeve dhe sektori i përpunimit dh etregtisë zë 8.8 për qind secili.

Investimet e huaja direkte gjatë vitit 2024 në vendin tonë prekën shifrën e 1.58 miliardë eurove, duke regjistruar vlerën më të lartë në terma vjetorë. Shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në vitin 2024, flukset e investimeve të huaja direkte në vendin u rritën me 5.7%, ndërkohë që në vitin 2023 ato fiksoheshin pranë 1.49 mld eurove.

Referuar shifrave të institucionit, rritja e investimeve të huaja direkte në vendin tonë ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes se fitimit të riinvestuar nga investitorët ekzistues.

Nisur nga shifrat rezulton se fitimi i riinvestuar arriti në 852.47 milionë euro, duke u rritur me gati 6%, krahasuar me vitin 2023. Fitimi i riinvestuar ka një peshë prej 54% përkundrejt totalit të investimeve të huaja direkte.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat