Shqipëria Postuar më 25 Mars 2025, 15:22

“Sistem i dobët për monitorimin e ndryshimeve klimatike” - Akademia e Shkencave: Preket çdo sektor, duhen investime për paralajmërimin e hershëm

Nga Ola Mitre

“Sistem i dobët për monitorimin e ndryshimeve klimatike” -

Studimi i ndryshimeve klimatike në Shqipëri është domosdoshmëri, për shkak të ndikimeve që sjell ndryshimi i motit thuajse në çdo sektor të ekonomisë.

Gjatë konferencës shkencore me temë: Ndryshimet klimatike dhe uji: Mbyllja e hendekut të paralajmërimit të hershëm”, të organizuar nga Akademia e Shkencave doli në pah sistemi i dobët i monitorimit që ka aktualisht vendi ynë, teksa vit pas viti numri i vendmatjeve pëson rënie.

“Deri në fund të vitit 1990 Shqipëria kishte rreth 228 vendmatje meteorologjike të kategorive të ndryshme dhe në vitin aktual ne kemi 95 nga ato që quhen manuale apo me vrojtime nga vrojtuesi. Çdo vit humben 4-5 stacione për arsye të lëvizjes demografike të popullatës, për arsye të amortizimit të instrumenteve e kështu me radhë. Ndërsa një vend i BE-së që është pranë nesh, Greqia çdo vit shton 4-5 stacione automatike”, - u shpreh Prof. Dr. Petrit Zorba, nga Instituti i Gjeoshkencave në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Po ashtu, sipas prof. Zorbës problem përbëjnë edhe stacionet e monitorimit të pacertifikuar.

“Në total bëhen rreth 250 stacione meteorologjike që funksionojnë pa ndonjë marrje leje monitorimi të masave ajrore mbi territor, pa ndarë të dhënat dhe pa asnjë lloj certifikimi. Në bazë të këtyre të dhënave të pacertifikuara më pas bëhen raportime në institucione të shtetit apo hartohen projekte e merren leje zhvillimi dhe ndërtimi, të cilat rezultojnë joefektive dhe me impakte negative mjedisore në mjaft raste”, - u shpreh Prof. Zorba.

Drejtuesi i Njësisë së Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierive, Rrapo Ormëni tregon të gjithë sektorët që preken negativisht nga ndryshimet e regjimit të reshjeve, që vijnë si pasojë e ndryshimit të klimës.

“Uji është një pasuri kombëtare e rëndësishme për vendin tonë dhe thatësirat apo reshjet e shumta ndikojnë në sasinë e rezervave të ujit, por gjithashtu edhe në ndotjen e ujit. Prandaj është shumë e rëndësishme studimi i ndryshimeve klimatike. Uji ka efekte në gjithë ekonominë: në bujqësi, vegjetacionin e bimëve e në peshkim. Ndryshimi i temperaturave në det nga ndryshimet klimatike ndikojnë. Ai ka rëndësi për energjinë sepse vendi ynë është një vend që prodhon energji hidrike dhe nëse do kemi ndryshime klimatike atwhere ka probleme edhe energjia. Po kështu siguria ushqimore. Urbanizimi, turizimi dhe shumë sektorë të jetës janë të lidhur me ndryshimet klimatike”, - tha Ormëni.

Ekspertët dhe përfaqësuesit e institucioneve theksuan nevojën për investime të qëndrueshme dhe monitorime të vazhdueshme.

“Në besojmë se roli i kërkimit shkencor është thelbësor në këtë proces, duke ndihmuar në hartimin e politikave të bazuara në të dhëna dhe në një forcim të vendimmarrjes”, - tha Anila Shehi, drejtore e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore.

“Të merret mendimi shkencor, në mënyrë që të bëhen politika efektive, por mendimi shkencor gjithmonë jep zgjidhje të qëndrueshme dhe inovative për të ardhmen”, - u shpreh Ormëni.  

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe përfaqësues të Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, të cilët kërkuan ndërmarrjen e politikave të përbashkëta për të rritur sigurinë e 2 vendeve. 

 

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat