“SEPA, përfitime të prekshme për qytetarët e bizneset”/ Guvernatori Sejko: Kosto më të ulëta, shpejtësi më të lartë dhe siguri të shtuar
Nga dita e sotme, bankat tregtare në Shqipëri nisin ofrimin e transfertave në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Në ceremoninë zhvilluar në Bankën e Shqipërisë, ishin të pranishëm Guvernatori Gent Sejko dhe Ambasadori i BE në vendin tonë, Silvio Gonzato.
Në vijim, fjala e plotë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Sot, në këtë ditë të veçantë, jemi dëshmitarë të një momenti historik për tregun financiar shqiptar: nisjen e transaksionit të parë në Euro, përmes Zonës Unike të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA. Ky nuk është thjesht një zhvillim teknik në sistemin e pagesave, por një gur themeli në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në infrastrukturën financiare evropiane.
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, i realizuar në nëntor të vitit të kaluar, ka qenë rezultat i një procesi të strukturuar, ku Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me të gjitha bankat e nivelit të dytë dhe institucionet financiare, ka punuar me përkushtim për të përmbushur kërkesat teknike dhe rregullatore të nevojshme. Sot, të 11 bankat vendase janë gati të ofrojnë shërbime SEPA për qytetarët dhe bizneset.
Ky moment nuk është fryt i rastësisë; ai është rezultat i një rrugëtimi shumëvjeçar të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve financiare shqiptare, të cilat kanë punuar hap pas hapi për të ndërtuar themelet e një sistemi modern pagesash.
Më lejoni të përmend disa nga hapat kryesorë të hedhur në këtë drejtim, si:
harmonizimi i legjislacionit dhe kuadrit rregullator me atë të Bashkimit Evropian (BE);
hartimi i dokumentacionit të nevojshëm dhe komunikimi me institucionet përkatëse të BE-së;
modernizimi i infrastrukturës kombëtare të pagesave, në përputhje me standardet evropiane;
ulja graduale e komisioneve për pagesat brenda vendit;
bashkëpunimi i ngushtë me të gjithë aktorët, bankat tregtare dhe institucionet vendase e ndërkombëtare.
Në këtë proces, roli i Bankës së Shqipërisë ka qenë vendimtar. Anëtarësimi në SEPA ishte një objektiv strategjik i Bankës së Shqipërisë, i lidhur drejtpërdrejt me Planin e Ri të Rritjes së Bashkimit Evropian dhe me projektin Rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në Ballkanin Perëndimor”. Nën udhëheqjen e saj, me asistencën e vyer të Bankës Botërore dhe falë koordinimit me të gjithë aktorët vendas, u sigurua përmbushja në kohë e kritereve dhe vënia në veprim e shërbimeve. Kjo arritje rrit kapacitetin e vendit për të përthithur fonde dhe për të ndjekur me besueshmëri rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Rrugëtimi ynë ka kërkuar kohë, përkushtim dhe partneritet, dhe sot jemi krenarë që Shqipëria është pjesë e këtij sistemi unik evropian. Tani nis faza e dytë: shfrytëzimi maksimal i këtij standardi nga bankat dhe bizneset, edukimi i përdoruesve dhe thellimi i digjitalizimit të pagesave. Banka e Shqipërisë u bën thirrje bankave tregtare dhe institucioneve financiare që të promovojnë aktivisht shërbimet SEPA, të informojnë klientët për përfitimet konkrete dhe të investojnë në përmirësimin e mëtejshëm të platformave digjitale. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit të të gjithë aktorëve, Shqipëria do të arrijë ta shfrytëzojë plotësisht potencialin e këtij integrimi historik.
Të nderuar pjesëmarrës,
SEPA përkthen vizionin tonë të integrimit financiar në përfitime të prekshme për qytetarët e bizneset: kosto më të ulëta, shpejtësi më të lartë dhe siguri të shtuar.
Më konkretisht:
Tarifa shumë më të ulëta: transferimi i parave nga Shqipëria drejt vendeve anëtare të SEPA-s kushton deri në 5 herë më pak se më parë;
Transaksione të shpejta: pagesat elektronike janë më të shpejta, më të sigurta dhe më komode;
Transparencë dhe barazi: një pagesë nga Tirana në Romë nuk kushton më shumë se një pagesë brenda Tiranës. Ndërkohë që ulje drastike do të ketë dhe për pagesat në mbërritje.
Ky është një standard evropian që sot bëhet realitet për Shqipërinë, duke e vendosur infrastrukturën tonë të pagesave në të njëjtin nivel me vendet e BE-së. Integrimi në SEPA, i kombinuar me zgjerimin e pagesave digjitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim. Për analogji, sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro. Kjo tregon se ndikimi i SEPA-s do të jetë edhe më i gjerë, duke përfshirë uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit operativ për qytetarët dhe bizneset.
Në një plan më të gjerë, integrimi në SEPA përkthehet në përfitime shoqërore e rajonale: nga ulja e informalitetit dhe kostove të dërgesave, te rritja e përfshirjes financiare dhe konvergjenca me tregun evropian:
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, një rritje prej 10% e pagesave digjitale sjell ulje me 2% të nivelit të informalitetit;
Emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre mund të kursejnë deri në dhjetëra miliona euro në vit falë dërgimit të remitancave nëpërmjet kanaleve bankare të SEPA-s;
Në planin rajonal, deri sot, dërgimi i parave midis bizneseve në Ballkanin Perëndimor ka kushtuar deri në 10 herë më shumë se brenda BE-së. Me SEPA-n, kjo kosto bie në nivele të përafërta me ato evropiane.
Dëshiroj të theksoj dhe njëherë se ky zhvillim nuk është vetëm një arritje teknike në sistemet e pagesave. Integrimi në SEPA e bën tregun tonë financiar më konkurrues, rrit besimin e investitorëve dhe e afron Shqipërinë me standardet më të larta të Bashkimit Evropian. Në planin strategjik, rrit gatishmërinë për integrime të tjera financiare të BE-së, duke e bërë infrastrukturën tonë më të përshtatshme për inovacione të ardhshme dhe për thellim të lidhjeve me tregjet kapitale.
Në fund, dua të nënvizoj se efekti praktik për qytetarët dhe bizneset shqiptare është i trefishtë: tarifa më të ulëta, procese më të shpejta dhe garanci më të forta operacionale.
Të nderuar miq dhe partnerë,
Ky moment është vetëm fillimi. Banka e Shqipërisë do të vijojë të punojë pa u lodhur për të garantuar një sistem financiar modern, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve dhe ekonomisë. Ne mbetemi të angazhuar që ky transformim të shndërrohet në një platformë inovacioni dhe përfshirjeje financiare, ku qytetarët dhe bizneset shqiptare të ndihen më të fuqizuar dhe më afër Evropës.
Këtë moment nuk do ta kishim arritur pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht të Komisionit Evropian, Këshillit Evropian të Pagesave dhe Bankës Botërore, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të qëndrueshëm dhe për këtë gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen tonë.
Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj bankat tregtare dhe institucionet financiare partnere, të cilat kanë investuar dhe bashkëpunuar ngushtë për të arritur këtë standard të ri për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Së fundi, mirënjohja më e madhe i takon stafit të Bankës së Shqipërisë që, me përkushtim dhe profesionalizëm, e bëri të mundur këtë arritje historike.
Sot, Shqipëria ka hyrë në një kapitull të ri të historisë së saj financiare. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi me mençuri dhe vendosmëri, duke bërë kështu të mundur që përfitimet të prekin çdo familje, çdo biznes dhe çdo segment të ekonomisë sonë.

Më shumë gra shofere në rrugët e Shqipërisë/ Grupmosha 25-34 vjeç me numrin më të lartë të lejeve të drejtimi për të dyja gjinitë
Të kesh një makinë dhe leje drejtimi nuk po shihet më si luks, por si nevojë e domosdoshme veçanërisht për ata që jetojnë në kryeqytet dhe në qytetet e......

“Kemi shumë pak patenta për shpikje” - Laknori: Ligji i ri, më shumë standard dhe më pak burokraci
Në Shqipëri, numri i patentave për shpikje mbetet ende i ulët, një tregues i mungesës së mbështetjes financiare dhe institucionale për inovatorët shqiptarë.......

Greqia rrit shpenzimet me 5 miliardë euro në 2026 - Projektbuxheti parashikon zgjerimin e ekonomisë me 2.4% vitin e ardhshëm
Projektbuxheti i Greqisë për vitin 2026 parashikon një rritje të shpenzimeve prej 5 miliardë eurosh në krahasim me vitin 2025, kryesisht e nxitur nga......

Sa kushton të jetosh vetëm në Shqipëri? Dy të rritur me fëmijë shpenzojnë rreth 27 mijë lekë më shumë se dy të rritur pa fëmijë
Shpenzimet mujore për konsum në Shqipëri janë rritur gjatë vitit 2024 në të gjitha kategoritë e familjeve, duke reflektuar një rritje të lehtë të mirëqenies......

Gjobë 350 euro/m2 për ndërtimet pa leje dhe konfiskim - Fuqizohen masat, nis zbatimi. Kush përfshihet në “Listën e Zezë”
Kushdo që ndërton pa leje, apo në tejkalim të lejeve të ndërtimit, do të penalizohet. Qeveria ka miratuar aktet normative të cilat kanë hyrë në fuqi vendosin......

Tkurret parashikimi i energjisë së rinovueshme - IEA redukton projeksionin e rritjes globale me 900 GW deri në vitin 2030
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) uli parashikimin e saj global për rritjen e kapacitetit të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030 me 900......

BE, ulen vendet e punës në industrinë diellore - Punësimi pëson tkurrje për herë të parë në dekadën e fundit
Punësimi në industrinë diellore të Bashkimit Evropian arriti një nivel rekord vitin e kaluar, por po pëson rënie në vitin 2025. Megjithatë, tkurrja e vendeve......

“Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet” - Zhvillohet takimi konsultativ me grupet e interesit!
Ministria e Financave zhvilloi sot një takim konsultativ me grupet e interesit mbi projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”.......