Shqipëria Postuar më 7 Tetor 2025, 10:15

“Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet” - Zhvillohet takimi konsultativ me grupet e interesit!

Nga Edel Strazimiri

“Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet” -

Ministria e Financave zhvilloi sot një takim konsultativ me grupet e interesit mbi projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”. Takimi u drejtua nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili vlerësoi rëndësinë e procesit të konsultimit publik të projektligjit dhe nënvizoi faktin se drafti është hartuar në bashkëpunim të ngushtë dhe me mbështetjen e Bankës Botërore, nisur nga përvojat më të mira ndërkombëtare.

Malaj solli në vëmendje ndikimin e madh që pati për qytetarët shqiptarë dhe ekonominë në tërësi tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, me një kosto të drejtpërdrejtë në rreth 7.5% të Produktit të Brendshëm Bruto. Ndonëse tërmetet janë fatkeqësi natyrore që nuk mund të parashikohen, tha ai, është e rëndësishme marrja e masave për të reduktuar sa më shumë të jetë e mundur efektet, e sidomos ato që sjellin ndikim në ekonomi.

“Nisur edhe nga fakti se Shqipëria është një vend me potencial sizmik, hartimi i këtij kuadri ligjor do të na shërbejë si një mekanizëm i qëndrueshëm financiar, pasi do të ofrojë mbrojtje reale për pronarët e banesave, duke siguruar kompensim të shpejtë dhe efikas për dëmet e shkaktuara nga tërmetet”, u shpreh ministri.

Në hartimin e projektligjit janë ndjekur modele të suksesshme, përfshirë Turqinë dhe Rumaninë, për të siguruar hartimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, me qëllim reduktimin e kostove ekonomike dhe fiskale, që mund të sjellin katastrofat natyrore.

Ministri i Financave shprehu besimin se me zbatimin e ligjit, mbulimi efektiv i sigurimit do të rritet gradualisht ndër vite, si dhe do të përmirësohet ndjeshëm sistemi i menaxhimit të riskut në Shqipëri, duke krijuar kështu një mbrojtje financiare më të qëndrueshme .

Ky projektligj në vetvete përfaqëson një hap të rëndësishëm edhe kundrejt krijimit të një sistemi kombëtar të menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë, përmes krijimit të Fondit Kombëtar për  Tërmetet, si një entitet që do të kontribuojë në mbrojtjen afatgjatë të investimeve, si dhe në stabilitetin ekonomik e mirëqenien e qytetarëve”, tha ministri.

Në përfundim të fjalës së tij, Malaj shprehu angazhimin e Ministrisë së Financave për të vijuar bashkëpunimin me të gjithë grupet e interesit dhe për të siguruar se projektligj të reflektojë nevojat reale të qytetarëve dhe të krijojë një mbrojtje efektive dhe të drejtë për të gjithë.

Takimi i sotëm u zhvillua në vijim të procesit të konsultimit publik për projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, i cili nisi me publikimin e tij gjatë muajit Korrik 2025 në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet publike.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat