Shqipëria Postuar më 5 Maj 2026, 11:40

Sa tatim mbi qiratë paguan shqiptarët? - Në 2025-ën, 5 mln euro më shumë se viti 2024. Ndikim, AirBNB dhe Booking

Nga Elisabeta Dosku

Sa tatim mbi qiratë paguan shqiptarët? - Në 2025-ën, 5 mln

Shqiptarët kanë paguar më shumë tatim mbi qiratë gjatë vitit 2025, duke përfshirë qiratë afatgjatë dhe ato ditore për apartamente që punohen përmes  platformave AirBnB apo Booking.

Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tregojnë se tatimi i arkëtuar nga qiratë në vitin 2025 është 5.8 miliardë lekë apo 58 milionë euro, ndërsa në vitin 2024 ka qenë në 53 milionë euro.  Rritja regjistrohet në rreth 5 milionë euro apo 8.5 %. Ndërsa në raport me vitin 2023, kapërcimi është rreth 10 milionë euro.

Rritja e numrit të turistëve nga viti në vit ka bërë që edhe më shumë prona të dalin në treg nga qytetarët, duke u dhënë me qira afatshkurtër. Po ashtu edhe çmimet e qirave mujore afatgjatë kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit që lamë pas sidomos në kryeqytet, duke sjellë më shumë përfitime për qytetarët por edhe për buxhetin e shtetit.

Gjatë vitit 2025 u ndërmor dhe reforma antiinformalitet në sektorin e akomodimit, sidomos i përqendruar në qiratë afatshkurtër me AirBnB dhe Booking, që mesa duket ka dhënë ndikim.

Kjo reformë  po vijon edhe këtë vit, ku qytetarëve dhe bizneseve  u është kërkuar që të deklarojnë të ardhurat përmes DIVA 2025, pasi në të kundërt do të penalizohen.

Rritja është e konsiderueshme, pavarësohet se tregu i qiradhënies ka probleme me informalitetin dhe jo të gjithë e deklarojnë atë.

Por sa është norma tatimore që paguhet mbi qiratë? Sipas ligjit në fuqi “për tatimin  mbi të ardhurat” ,  të ardhurat nga qiratë e pasurive të paluajtshme trajtohen si e ardhur nga investimet dhe tatimi i aplikuar në burim është 15 për qind e vlerës së qirasë mujore.  Pra nëse qiraja është në vlerën 50 mijë lekë në muaj, tatimi që duhet paguar është 7500 lekë në muaj. 

Në rastin kur një individ ia ka dhënë pronën me qira një subjekti të regjistruar, ky i fundit është përgjegjës për mbajtjen, deklarimin dhe pagesën e tatimit në burim për llogari të organit tatimor.

Kur qiramarrësi është një person i paregjistruar, si në rastin e turistëve vendas apo të huaj, individi qiradhënës si përfitues i të ardhurave, është i detyruar të deklarojë dhe të paguajë në organin tatimor, tatimin në burim jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa. Ndërsa për qiratë afatshkurtër deklarimi bëhet përmes DIVA  dhe mbi të ardhurat, tatimi aplikohet në masën 15 %.

Administrata tatimore shqiptare ka nisur një bashkëpunim me administratën tatimore irlandeze për investigimin e individëve që përfitojnë të ardhura nga platformat Booking dhe AirBnB dhe nuk i deklarojë ato. Ndërsa para pak ditësh u ka dërguar një njoftim individëve që përfitojnë të ardhura nga AirBnB, duke u kërkuar që të bëjnë deklarimet përkatëse përmes DIVA-s.

Të dhënat nga tregu i strukturave akomoduese me qira afatshkurtër tregojnë aktualisht në platforma të ndryshme rezervimi, figurojnë mbi 18 mijë  njësi me qira afatshkurtër aktive.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat