Analiza Postuar më 5 Maj 2026, 10:33

Peshkun e shesim shtrenjtë, por e konsumojmë të lirë/ Bilanci tregtar, negativ. Ndërsa konsumi rreth 8-9 kg për person në vit

Nga Xhorxhina Deda

Peshkun e shesim shtrenjtë, por e konsumojmë të lirë/

Shqipëria po eksporton gjithnjë e më shumë produkte peshku, por njëkohësisht mbetet e varur nga importet për të furnizuar tregun vendas. Të dhënat më të fundit nxjerrin në pah një paradoks të qartë: ndërsa industria rrit praninë në tregjet e huaja, konsumatori shqiptar vijon të mbështetet kryesisht tek produktet e importuara.

Sipas statistikave të tregtisë së jashtme, në vitin 2025 Shqipëria importoi rreth 27 milionë kilogram peshk dhe produkte deti, ndërsa eksportet arritën në rreth 9.6 milionë kilogram. Në terma sasiorë, vendi importon afro trefish më shumë sesa eksporton. Edhe pse diferenca në vlerë është më e ngushtë, bilanci tregtar mbetet negativ, duke treguar një varësi të vazhdueshme nga tregjet e huaja.

Megjithatë, në perspektivë afatgjatë, eksportet kanë njohur rritje të ndjeshme. Krahasuar me vitin 2005, kur ato ishin nën 1 milion kilogram, sot janë rritur disa herë, duke reflektuar zgjerimin e sektorit dhe orientimin e tij drejt tregjeve ndërkombëtare.

Një tregues i qartë i këtij orientimi është shpërndarja e eksporteve sipas partnerëve tregtarë. Italia mbetet destinacioni kryesor i peshkut shqiptar, duke përthithur pjesën dërrmuese të eksporteve me rreth 4.9 miliardë lekë në vitin 2025, shumë më tepër se çdo treg tjetër. Pas saj renditen Spanja dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa një pjesë e konsiderueshme eksportohet edhe drejt vendeve të rajonit si Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Prania në tregje më të largëta, si Japonia, Norvegjia apo Koreja e Jugut, tregon një zgjerim gradual të shtrirjes gjeografike, megjithatë struktura mbetet e përqendruar fort tek tregu italian.

Në të njëjtën kohë, importet tregojnë një panoramë më të shpërndarë të furnizimit. Në vitin 2025, Shqipëria importoi më shumë peshk nga Italia, Greqia dhe Spanja, me vlera që kalojnë secila mbi 1.2 miliardë lekë. Pas tyre renditen Suedia dhe Kroacia, ndërsa në listën e dhjetë partnerëve kryesorë përfshihen edhe Ekuadori, Kina, Norvegjia, Maroku dhe Argjentina. Kjo tregon se tregu vendas mbështetet në një rrjet të gjerë furnizuesish, përfshirë edhe vende jashtë rajonit dhe Europës.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është diferenca në çmimin mesatar të importit dhe eksportit. Në vitin 2025, çmimi mesatar i importit rezulton rreth 360-370 lekë për kilogram, ndërsa ai i eksportit arrin në rreth 800 lekë për kilogram. Kjo tregon se Shqipëria eksporton produkte me vlerë më të lartë për njësi, ndërsa importon produkte më të lira për të mbuluar kërkesën e brendshme.

Pavarësisht kësaj dinamike tregtare, rritja e eksporteve nuk përkthehet në konsum më të lartë brenda vendit. Sipas të dhënave të FAO-s, furnizimi mesatar me peshk në Shqipëri mbetet rreth 8-9 kilogram për person në vit, një nivel relativisht i ulët krahasuar me shumë vende të tjera, veçanërisht ato me dalje në det.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat