Shqipëria Postuar më 17 Shtator 2025, 11:08

Potenciali eolik ende i pashfrytëzuar, Shqipëria pa turbina ere në prodhim

Nga Ola Mitre

Potenciali eolik ende i pashfrytëzuar, Shqipëria pa turbina ere

Teksa energjia diellore ka nisur të ndjejë frytet e para, me rreth 6% të energjisë totale të gjeneruar në vend, energjia e erës mbetet ende një pasuri e pashfrytëzuar në vendin tonë. Aktualisht janë vetëm dy kompani që mbajnë licencë për prodhimin e energjisë nga era, por asnjë impiant nuk është ndërtuar ende. 4 vite më parë Enti Rregullator i Energjisë përfundoi një proces të gjatë monitorimi që çoi në revokimin e katër licencave për prodhimin e energjisë nga era, të dhëna prej vitit 2008, të cilat nuk u shoqëruan kurrë me ndërtimin e impianteve përkatëse.

Ndërkaq, një hap i vogël u bë këtë vit kur për herë të parë ERE nisi procedurat për licencimin e një impianti eolik në Tragjas, në zonën e Orikumit, me një kapacitet prej 3 MW. Ndërkohë, dy projekte të tjera, që janë “Park Eolik Pogradec” me 120 MW dhe “Park Eolik Drin-2” me 28.5 MW, kanë marrë opinion paraprak për t’u lidhur në rrjetin e transmetimit.

Paralelisht një projekt për central eolik në Tropojë është duke u zhvilluar. Ai është miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike në fund të vitit 2023 dhe përfshin ndërtimin e një parku të kombinuar eolik dhe fotovoltaik, me një kapacitet total prej 826 MË. Park i energjisë së erës planifikohet me kapacitet 636 MW.  

Studimet e deritanshme tregojnë se vendi ynë ka kushte të favorshme për zhvillimin e energjisë eolike. Këto studime dhe hartat e përshtatshmërisë tregojnë se potenciali më i madh për fermat me erë ndodhet në veri-lindje, në Kukës, Tropojë e Pukë; në jug-lindje në Kolonjë, Korçë e Devoll; si dhe në jug, në Gjirokastër, Tepelenë dhe Dropull. Këto janë zona me lartësi të konsiderueshme, reliev të hapur dhe shpejtësi të lartë mesatare të erës, elementë që e bëjnë prodhimin e energjisë eolike më të qëndrueshëm.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat