Shqipëria Postuar më 17 Shtator 2025, 10:20

Rrjeti 5G, së shpejti një realitet në gjithë Shqipërinë/ Me lirimin e brezit të frekuencave 700 MHz, i hapet rruga zbatimit të kësaj teknologjie

Nga Ledina Elezi

Rrjeti 5G, së shpejti një realitet në gjithë

I është hapur rruga zbatimit të rrjetit 5G përmes lirimit të frekuencave të digital dividentit dy (DD2), ku përfshihet brezi i frekuencave nga 694 MHz në 790 MHz. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar për konsultim publik një projektligj, i cili synon të sigurojë vazhdimësinë  e shërbimeve të medias audiovizive pas lirimit të brezit të frekuencave 700 MHz nga ana e tyre.

Duke qenë se brezi 700 MHz është aktualisht në përdorim nga mediat audiovizive, këto të fundit do të kenë kompensim financiar të pjesshëm të kostove që shkakton procesi i lirimit të brezit 700 MHz, me qëllim që të sigurohet vazhdimësia e marrjes nga publiku të të gjitha programeve televizive që transmetohen nëpërmjet rrjeteve tokësore, pas lirimit të brezit 700 MHz.

Brezat kryesorë të frekuencave 5G janë brezi 700 MHz, brezi 3400-3800 MHz dhe brezi 26 GHz.

Brezi 700 MHz, teknikisht është brezi më i mirë i frekuencave për ndërtimin e rrjeteve 5G, veçanërisht për shkak se frekuencat e këtij brezi realizojnë mbulim shumë të mirë me një numër të caktuar stacionesh (antenash). Ky brez frekuencash do të jepet në përdorim për operatorët celularë.

Rreth 5.1 milion euro do të jenë shpenzimet buxhetore për lirimin e tyre, të cilat do të  kompensohen nga të ardhurat që do fitohen nga dhënia në përdorim e frekuencave për operatorët celularë. Procesi parashikon të ketë rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit, pasi lidhet me lirimin e brezit të rëndësishëm të frekuencave të DD2, si dhe licensimin e frekuencave të tjera të lira dhe që janë caktuar për përdorim për rrjetet 5G.

Lirimi i frekuencave vjen gjithashtu si kërkesë e Bashkimit Evropian, e përcaktuar në dokumentin e pozicionit të përbashkët negociues për Grupkapitullin e tretë, në lidhje me kërkesat për Kapitullin 10, “Transformimi Digjital dhe Media”. Me këtë zgjidhet edhe problemi i interferencave me vendet fqinje.

Në teori, 5G ofron një shpejtësi mesatare prej 10 Gbps, që është më shumë se 100 herë më e shpejtë se teknologjia aktuale 4G.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat