Shqipëria Postuar më 31 Korrik 2025, 12:50

“Nuk ka punonjës të kualifikuar!” - Indeksi i Dhomës Amerikane: Gjetja e stafit, sfida kryesore e bizneseve

Nga Ledina Elezi

“Nuk ka punonjës të kualifikuar!” - Indeksi i Dhomës

Klima e të bërit biznes në Shqipëri nuk ka qenë shumë e favorshme në 2024. Kështu e ka vlerësuar  Dhoma Amerikane e Tregtisë mjedisin e biznesit në Shqipëri gjatë vitit që lamë pas. Megjithatë, sipas anëtarëve të saj, klima e biznesit pritet të përmirësohet në 2025.

Dhoma Amerikane publikon çdo vit Indeksin e Biznesit, nëpërmjet pyetësorëve të të cilit identifikohen dhe maten problemet me të cilat përballet komuniteti i biznesit. Kjo i mundëson Dhomës Amerikane të Tregtisë që të bashkëpunojë me qeverinë dhe aktorë të tjerë për të përmirësuar mjedisin e biznesit në Shqipëri.

Këtë vit, vlerësimi për klimën e biznesit ka rënë në 46.47 pikë nga 100 në total, në krahasim me 47.57 pikë që ishte një vit më parë, duke prodhuar sërish një Indeks që është nën nivelin e mesatares.

Pavarësisht një përmirësimi të lehtë në 2024, problematika kryesore në sektorin e biznesit mbetet gjetja e stafit të kualifikuar lokal. Ndërkohë, monopoli dhe konkurrenca e padrejtë, ekonomia informale, burokracia qeveritare dhe niveli i përgjithshëm i taksave janë disa nga sfidat e tjera me të cilat përballen bizneset.

Nga ana tjetër,  furnizimi me energji apo rendi dhe siguria në vend patën perceptimin më të mirë për kompanitë e anketuara gjatë vitit 2024, ndërsa perceptimi për infrastrukturën pati një përmirësim të lehtë. Gjithashtu, shërbimet dhe politikat bankare, klima e brendshme politike, sigurimi i financimit për zhvillimin e biznesit, kërkesa për mallra dhe shërbime në eksport rezultojnë të jenë përmirësuar në pikëzim.

Për vitin 2025, anëtarët e AmCham parashikojnë një trend pozitiv për klimën e biznesit, performancën e ekonomisë shqiptare, kërkesën për mallra dhe shërbime, si dhe reformat ekonomike apo politikat e qeverisë qendrore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat