Shqipëria Postuar më 31 Korrik 2025, 17:04

50-vjetori i Aktit Final të Helsinkit: Ministri Hasani në Konferencën e Nivelit të Lartë në Finlandë

Nga SCAN TV

50-vjetori i Aktit Final të Helsinkit: Ministri Hasani në

Me rastin e 50-vjetorit të Aktit Final të Helsinkit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë “Helsinki+50”, të organizuar nga Ministria e Jashtme e Finlandës.

Aktiviteti shënoi gjysmëshekullin e dokumentit themelues të OSBE-së, një moment kyç në historinë e sigurisë evropiane dhe një pikë referimi për marrëdhëniet ndërkombëtare të bazuara në parime dhe rregulla.

Në fjalën e tij, Ministri Hasani theksoi se parimet themelore të Aktit Final – përfshi respektimin e sovranitetit, integritetit territorial, mos-përdorimin e forcës dhe respektimin e të drejtave të njeriut – nuk janë thjesht norma historike, por udhërrëfyes të domosdoshëm për rendin ndërkombëtar sidomos në ditët e sotme.

“Shkelja e vazhdueshme e këtyre parimeve nga Federata Ruse përmes agresionit të saj ndaj Ukrainës përbën një sfidë të drejtpërdrejtë për besueshmërinë e OSBE-së,” deklaroi Ministri Hasani. “Pikërisht në një mjedis të tillë, roli i OSBE-së si platformë për dialog dhe si mbrojtëse e parimeve të Helsinkit bëhet edhe më i domosdoshëm.”

Ministri theksoi se Shqipëria, si vend anëtar aktiv dhe ish-kryesuese e OSBE-së, mbetet e angazhuar për një organizatë funksionale dhe efektive, e aftë të përgjigjet ndaj sfidave moderne, që nuk janë vetëm ushtarake, por edhe digjitale, hibride, mjedisore dhe sociale.

Në Konferencën "Helsinki+50" morën pjesë përfaqësues të lartë të shteteve pjesëmarrëse në OSBE, partnerëve për bashkëpunim, institucioneve ekzekutive të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. Konferenca u përshëndet gjithashtu nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres.

Konferenca riafirmoi rëndësinë e trashëgimisë së Aktit Final të Helsinkit dhe nevojën për të forcuar angazhimin ndaj parimeve të tij, në një kohë kur rendi ndërkombëtar përballet me tensione të rritura dhe sfida të reja.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat