Lajme Postuar më 31 Korrik 2025, 20:10

Qeveria miraton kushtet për negociatat e "KAYO", sh.a., me sektorin privat për prodhimin e armëve dhe dronëve

Nga Fabjona Pasho

Qeveria miraton kushtet për negociatat e "KAYO", sh.a., me

Në mbledhjen e kësaj së enjteje, Qeveria ka dhënë dritën jeshile për fillimin e negociatave mes shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., dhe subjekteve private, për krijimin e një kompanie të përbashkët për prodhimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve.

Sipas vendimit, shoqëria “KAYO” do të ketë një pjesëmarrje minimale prej 20% në shoqërinë e re aksionare, duke kontribuar me të paktën 5000 m² pasuri të paluajtshme pa të drejtë tjetërsimi, që mbetet pronë e saj.

Partneri privat pritet të sjellë një investim minimal prej 50 milionë eurosh, teknologji të avancuar për prodhimin dhe montimin e armëve, si dhe një rrjet shpërndarjeje për eksport. Aktiviteti i kompanisë së re do të fokusohet në përmbushjen e nevojave të Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera të sigurisë.

Gjithashtu, “KAYO” do të ketë të drejtë vetoje në vendimmarrje strategjike dhe do të emërojë të paktën 40% të anëtarëve të këshillave drejtues ose mbikëqyrës. 

Gjithashtu, në këtë mbledhje janë miratuar një sërë vendimesh të tjera, që kanë të bëjnë me shpronësimet për interes publik. 

https://www.kryeministria.al/newsroom/vendime-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-date-31-korrik-2025/

"Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

V E N D I M
PËR 

MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE    PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E ARMËVE TË KALIBRAVE   TË VEGJËL, TË MESËM DHE DRONËVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të                    ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a, me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët për prodhimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., negocion dhe pranon një pjesëmarrje jo më të ulët se 20 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.

3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., kontribuon në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 5000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi dhe pa të drejtë transferimi të pronës, e cila do të mbetet në çdo rrethanë pronë e shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a.

4. Shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti më të cilin negocion, minimalisht:

a) një vlerë investimi jo më të ulët se 50 (pesëdhjetë) milionë euro;
b) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit ose montimit të armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë;
c)  sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.

5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël dhe dronëve për Forcat e Armatosura dhe për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.

6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet  nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.

7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se, minimalisht 40 % e Këshillit Drejtues ose Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.

8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të                       ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore, të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

10. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

        Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe  botohet në “Fletoren zyrtare”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat