Shqipëria Postuar më 31 Korrik 2025, 19:23

600 të rinj drejt administratës publike. AKR dhe ASPA, marrëveshje për trajnim profesional - Muzhaqi: 250 më të mirët do përfitojnë kontratë pune

Nga SCAN TV

600 të rinj drejt administratës publike. AKR dhe ASPA,

Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi që synon përmirësimin e cilësisë së formimit profesional të të rinjve pjesëmarrës në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës.

Përmes kësaj marrëveshjeje, 600 praktikantët e edicionit të X-të të programit do të ndjekin një kurrikul të strukturuar trajnimi të zhvilluar nga ASPA, e cila përfshin module që mbulojnë fushat më të rëndësishme të punës në administratën publike, si:
• Aftësitë ndërpersonale në zhvillimin personal (Soft skills)
• Aftësitë digjitale në performancë (Paketa Office & Inteligjenca Artificiale)
• Elementët kryesorë të sjelljes organizative
• Roli dhe rëndësia e financave publike dhe planifikimi buxhetor
• Rregullat për hartimin e dokumenteve dhe elementët e tyre
• Etika, konflikti i interesit dhe zbatimi i tyre në administratën publike
• Organizimi dhe funksionimi i administratës publike
• Legjislacioni rregullator i marrëdhënieve të punës në Republikën e Shqipërisë – Kodi i Punës

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, i shpallur nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, është një nismë konkrete për përgatitjen profesionale dhe integrimin e të rinjve në tregun e punës. Ky edicion i X-të do të qëndrojë i hapur për aplikime për 45 ditë dhe ofron më shumë mbështetje se kurrë më parë për të rinjtë që kërkojnë një trampolinë drejt karrierës profesionale.

Ministrja Bora Muzhaqi theksoi:
“600 të rinj nga 21 deri në 29 vjeç, të cilët kanë përfunduar nivelin bachelor ose master, do të kryejnë praktikën e tyre 3-mujore në 227 institucione publike të vendit duke përfituar trajnim të dedikuar nga ASPA dhe kompensim financiar për shpenzimet gjatë praktikës. 250 më të mirët do të përfitojnë një kontratë pune 1-vjeçare pranë institucionit ku do të zhvillojnë praktikën.”

Pjesëmarrësit do të angazhohen sipas fushës së tyre të studimit duke fituar eksperiencë pune të drejtpërdrejtë dhe duke marrë njohuritë e nevojshme për të qenë konkurrues në tregun e punës.

Aplikimet janë të hapura deri më datë 10 gusht 2025 dhe mund të kryhen lehtësisht me CV dhe letër motivimi përmes platformës zyrtare: praktika.riniafemijet.gov.al. Në portal janë të listuara të gjitha pozicionet e disponueshme dhe kriteret e përzgjedhjes.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat