Shqipëria Postuar më 19 Nëntor 2024, 13:06

“Kushtet e financimit, të favorshme për rritje qëndrueshme” - Guvernatori Sejko, në takimin e Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore

Nga Diamila Leka

“Kushtet e financimit, të favorshme për rritje

Studiues dhe akademikë, nga rajoni dhe më gjerë janë mbledhur në Tiranë për të diskutuar mbi sfidat ekonomike dhe financiare që prekin ekonomitë tona. Gjatë takimit të 18-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore të organizuar nga Banka e Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko u shpreh se, ekonomia globale përballet me pasiguri të shtuara që vijnë nga një mjedis i paqëndrueshëm i inflacionit dhe normave të interesit, por edhe me pasiguri politike dhe institucionale që krijojnë terren për ndryshime të rëndësishme të politikave dhe qeverisjes në vitet e ardhshme. Në fjalën e tij, Sejko u ndal edhe në ekonominë shqiptare

Më duhet të nënvizoj që ekonomia shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme strukturore, që lidhen me rritjen e shpejtë të turizmit dhe ndërtimit; ndryshime demografike të lidhura me plakjen e popullsisë, migrimin e saj, si dhe procesin e integrimit në BE. Gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia e Shqipërisë është përballur me luhatje të konsiderueshme të çmimeve për shkak të fenomeneve natyrore, goditjeve ekonomike dhe zhvillimeve gjeopolitike. Si përgjigje, politika jonë monetare ka dëshmuar të jetë e zhdërvjellët ndaj këtyre ndryshimeve, duke siguruar që kushtet e financimit të mbeten të favorshme për një rritje ekonomike të qëndrueshme, të reflektuar në rritjen e kreditimit me bazë të gjerë dhe likuiditetin e bollshëm në sistemin financiar.

Nga ana tjetër, krahas rregullimeve në normat e interesit, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë politika të tjera, si ato makroprudenciale në bashkëveprim me ato me natyrë mikroprudenciale.

Paralelisht, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë edhe një sërë nismash të tjera që kanë të bëjnë me rritjen e përfshirjes dhe kulturës financiare, ku ligji mbi shërbimet e pagesave dhe mbi llogarinë bazë, anëtarësimi ynë në SEPA dhe strategjia për edukimin dhe përfshirjen financiare, pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar. Këto masa synojnë ta modernizojnë atë, të rrisin përfshirjen financiare, të reduktojnë informalitetin në ekonomi, si dhe të përmirësojnë transmetimin e politikës monetare. Ato janë jetike për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar, nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe mbështetjen e objektivave më të gjerë makroekonomikë të Shqipërisë.

Gjatë dy ditëve të konferencës, do të diskutohet mbi implikimet e normave të interesit dhe kursit të këmbimit në ekonomi dhe në sektorin financiar, duke analizuar mënyrën se si tregtia dhe financa ndërveprojnë me njëra-tjetrën, si dhe me faktorët mjedisorë, socialë dhe të mirëqeverisjes, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të ekonomisë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat