Europa Postuar më 19 Nëntor 2024, 10:50

Evropa shton investimet për furnizimin me gaz - Sipas raportit, rritja e kapacitetit me 80 GW kërcënon objektivat klimatikë

Nga Kristi Ceta

 

Rritja e furnizimit me gaz në të gjithë Evropën kërcënon angazhimet klimatike dhe rrezikon t’i mbajë lëndët djegëse fosile prezente për dekadat në vijim, sipas një raporti të ri. Grupi Beyond Fossil Fuels zbulon se në total, vendet evropiane planifikojnë të shtojnë 80 GW potencial të ri gjenerues të energjisë me gaz, një rritje prej 32 për qind ndaj kapacitetit aktual.

Tre shtete të kontinentit të vjetër janë veçanërisht të varura nga gazi fosil për prodhimin e energjisë elektrike: Italia, Britania e Madhe dhe Gjermania. Gjysma e shtesave të reja janë planifikuar nga këto tre vende, të cilat që tani janë përgjegjëse për 45 për qind të kapacitetit total të gazit të Evropës. Qeveritë e këtyre shteteve janë zotuar të dekarbonizojnë sektorët e tyre të energjisë deri në vitin 2035.

Mbretëria e Bashkuar ka afatin kohor më ambicioz me arritjen e objektivit të energjisë së pastër deri në vitin 2030. Javën e kaluar Operatori Kombëtar i Sistemit të Energjisë së vendit konfirmoi se kjo është e arritshme nëse kapaciteti i energjisë së gazit nuk zgjerohet përtej përmasave që ishte në 2023.

Por Italisë, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, u mungojnë planet konkrete për të ndaluar djegien e gazit fosil në më shumë se 900 termocentralet e tyre ekzistuese me gaz, pa llogaritur impiantet e reja që do të zhvillohen. Planet për të ndërtuar kapacitete të reja gazi "minojnë rëndë" besueshmërinë e ambicieve të tyre, thuhet në raport.

Në vitin 2023, gazet fosile prodhonin 24 për qind të energjisë elektrike të Evropës, 17 për qind brenda BE-së. Vetëm një pjesë e vogël e vendeve, si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Luksemburgu, Kosova dhe Qipro, nuk kanë asnjë termocentral operativ të këtij lloji.

Nga 855 termocentralet evropiane të gazit në bazën e të dhënave të Beyond Fossil Fuels, vetëm katër janë mbyllur që nga janari 2023. Ndërsa vetëm për shtatë prej tyre është vendosur zyrtarisht që do të mbyllen deri në vitin 2035. Ky vit është afati i caktuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë për dekarbonizimin, me synimin për ta mbajtur ngrohjen globale në 1.5 gradë celsius.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat