Shqipëria Postuar më 16 Shtator 2025, 12:41

Forcohet pozita e gruas shqiptare në politikë dhe diplomaci/ Rritje graduale e përfaqësimit në institucionet dhe sektorë kyç

Nga Eldiona Serani

Forcohet pozita e gruas shqiptare në politikë dhe diplomaci/ Rritje

Roli i gruas shqiptare në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore po merr përmasa gjithnjë e më të dukshme, duke treguar një rritje graduale të përfaqësimit në institucione dhe sektorë kyç. Të dhënat më të fundit për vitin 2023–2024 sipas Institutit të Statistikave flasin për rolet gjinore ku secila nga gjinitë ka më shumë përfaqësim.

Në parlamentin shqiptar, niveli i përfaqësimit të grave gjatë vitit 2024 ka arritur në 35.7 %, një tregues që e afron Shqipërinë me standardet europiane dhe rajonale. Megjithatë, ky progres nuk është reflektuar në të njëjtën masë në zgjedhjet vendore të vitit 2023. Nga listat e kandidatëve për kryetarë bashkie, vetëm 10.4 % ishin gra, ndërsa në fund të procesit elektoral, vetëm 13.1 % prej tyre arritën të fitonin.

Një tjetër dimension i rëndësishëm i përfaqësimit është diplomacia, ku shifrat flasin për një ekuilibër më të dukshëm mes gjinive. Në vitin 2024, 37.5 % e ambasadorëve shqiptarë ishin gra, ndërsa në pozicionin e Ministrit Fuqiplotë dominuan me 66.7 %.

Përsa i përket Forcave të Armatosura, pjesëmarrja e grave vazhdon të mbetet e ulët. Vetëm 15.4 % e trupës së ushtrisë shqiptare përbëhej nga gra në vitin 2024, cka tregon se integrimi i plotë i grave në strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes kërkon akoma përpjekje të shtuara.

Në fushën e ekonomisë, gratë po tregojnë gjithnjë e më shumë rolin e tyre drejtues. Përqindja e pronareve ose administratoreve gra është më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 të punësuar), ku ato arrijnë në 32.6 %. Megjithatë, diferencat mbeten të dukshme mes sektorëve: në shërbime, bizneset e drejtuara nga gra arrijnë 33.6 %, ndërsa në prodhim vetëm 18.0 %.

Një tjetër tregues pozitiv lidhet me mbështetjen që gratë po marrin nga programet shtetërore. Nga skemat e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, 40.6 % e përfituesve kanë qenë gra, duke dëshmuar për një qasje më gjithëpërfshirëse në politikat e zhvillimit ekonomik.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat