Bota Postuar më 16 Shtator 2025, 10:59

BE shqyrton sanksione të reja kundër Rusisë/ Trump u kërkon aleatëve të mos blejnë naftën ruse

Nga Kristi Ceta

BE shqyrton sanksione të reja kundër Rusisë/ Trump u kërkon

Komisioni Evropian do t’u paraqesë 27 vendeve anëtare të BE-së një propozim për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, me qëllim rritjen e trysnisë mbi Kremlinin. Masat do të përfshijnë kufizime mbi naftën ruse, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërkuar nga Evropa të mos blejë më naftë ruse.

Sanksionet për pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia do të prekin gjithashtu më shumë banka, flotën e ashtuquajtur “fantazmë” të Kremlinit, që Moska përdor për t’i shmangur sanksionet, si dhe vendosjen në listën e zezë të një numri individësh, veçanërisht atyre që konsiderohen përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.

Sipas analistëve dhe diplomatëve, mbetet të shihet nëse Brukseli do të arrijë t’i kufizojë vizat turistike për rusët dhe ta ndalojë lëvizjen e diplomatëve rusë brenda bllokut.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian theksojnë se thelbi i paketës së re të sanksioneve është vazhdim i raundeve të mëparshme. Kjo përfshin shënjestrimin e më shumë bankave ruse, përfshirë edhe ato rajonale, duke i shkëputur nga sistemi ndërkombëtar SËIFT.

Paketa e sanksioneve do të godasë gjithashtu aftësinë e Moskës për të përdorur kriptovaluta dhe do të ndalojë shërbimin e më shumë anijeve të flotës ruse në Evropë. Aktualisht lista përfshin 444 anije, por besohet se Kremlini përdor të paktën dyfishin e tyre për të transportuar produktet e naftës së sanksionuar në mbarë botën.

Mund të ketë gjithashtu përpjekje për ta vënë në shënjestër kompaninë gjigante ruse të naftës, Lukoil, edhe pse disa shtete anëtare, kryesisht Sllovakia dhe Hungaria, që ende varen nga importet ruse, ka gjasa ta bllokojnë këtë lëvizje.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat