Shqipëria Postuar më 15 Maj 2026, 14:19

Falja e detyrimeve doganore e tatitmore - Hyn në fuqi udhëzimi. Bizneset përfitojnë fshirje gjobash dhe kamatëvonesash

Nga Edel Strazimiri

Falja e detyrimeve doganore e tatitmore - Hyn në fuqi udhëzimi.

Ka hyrë në fuqi udhëzimi për zbatimin e ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”, duke përcaktuar procedurat dhe afatet për subjektet debitore që përfitojnë nga falja e detyrimeve doganore.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, administrata doganore do të vijojë evidentimin dhe trajtimin e detyrimeve të papaguara sipas periudhave përkatëse, duke u krijuar bizneseve mundësinë për të përfituar nga fshirja ose shuarja e një pjese të detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave.

Për detyrimet e papaguara deri më 31 dhjetor 2014 parashikohet fshirja automatike e detyrimeve, gjobave dhe kamatëvonesave përkatëse.

Ndërsa për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2015–2019, subjektet mund të zgjedhin mes dy alternativave:

pagesën e 50% të principalit brenda 30 qershorit 2026, duke përfituar faljen e pjesës tjetër të detyrimit dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave;ose

pagesën e 75% të principalit brenda 31 dhjetorit 2026, duke përfituar faljen e 25% të mbetur dhe të gjitha gjobave e kamatëvonesave.

Për detyrimet e periudhës 2020–2024, do të fshihen gjobat dhe kamatëvonesat në rast se paguhet i plotë detyrimi kryesor brenda 31 dhjetorit 2026.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u bën thirrje të gjitha subjekteve debitore të paraqiten pranë degëve doganore përkatëse për të verifikuar situatën e tyre financiare dhe për të ndjekur procedurat administrative përkatëse.

Sipas autoriteteve, zbatimi i këtij ligji synon të lehtësojë barrën financiare për bizneset, të nxisë formalizimin dhe të krijojë mundësi për mbylljen e detyrimeve të prapambetura përmes procedurave lehtësuese të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat